Spitali Amerikan me drejtues oligarkun Klodian Allajbeu është gjetur shpesh herë në shkelje sa i takon përfitimit të hapësirave në objektet publike. Edhe pse ndaj këtij spitali dhe drejtuesit të tij ka patur denoncime konkrete, dosjet janë mbyllur në skutat më të errëta duke i zënë pluhuri. Më 28 qershor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës Spitalin Amerikan. Në padi faktoheshin qartë dhe pastër abuzimet në kontratat e Spitalit të Traumës, që njihet ndryshe dhe si Spitali Ushtarak me Spitalin Amerikan. Nga një audit që KLSH ka bërë në Spitalin e Traumës, rezultoi se në atë kohë subjekti “Spitali Amerikan” ka okupuar ambientet brenda SUT në një sipërfaqe prej 1200 m2. Sipas padisë, Spitali Amerikan në kuadër të mosrespektimit të kontratës, i detyrohej 10.800.000 lekë Spitalit të Traumës. “Subjekti “American Hospital” sh.a. ka okupuar ambientet sipërfaqe nën objekt, brenda godinës së SUT në një sipërfaqe totale 1200 m2. Ky subjekt për periudhën objekt auditimi (01.10.2015. deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj) i detyrohet SUT qira e papaguar për sipërfaqen e përdorur, okupuar prej 1200 m2 (1696 m2 – 496 m2 = 1200 m2) referuar kontratës së datës 28.08.2013 e cila rezulton si më poshtë. Periudha 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj. Sipërfaqja e okupuar, përdorur 1200 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 10,800,000 lekë”, thuhet në padi.
Spitali Amerikan zapton truallin e SUT
Sakaq, në padi specifikohej se Spitali Amerikan përdorte edhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të Spitalit të Traumës. Sipas padisë, spitali privat nuk ka një dokumentacion si puna e kontratës apo lejes ndërtimore në lidhje me këtë ndërtim që ka bërë. Madje, spitali privat në fjalë përdor edhe një sipërfaqe prej 45 m2 ku dhe për këtë nuk ka dokumente. “Ky objekt përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2, të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leja e ndërtimore apo kontratë, po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2, ku dhe për këtë nuk ka dokumente në SUT. Konstatimi ynë bazohet në kartelën e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Nëse do të përllogarisim dhe përdorimin e sipërfaqes së ndërtuar nga vetë “American Hospital” sha për periudhën 01.10.2015 deri 31.03.2018 gjithsej 30 muaj për sipërfaqen e përdorur 267.3 m2 x 300 lekë/m2 në muaj = 80.190 lekë x 30 muaj = 2,405,700 lekë të ardhura të munguara për periudhën objekt auditimi”, thuhet aty. KLSH zbuloi gjithashtu se për disa vite rresht Spitali Amerikan nuk shleu detyrimet. Sipas padisë, Spitali Amerikan nuk pagoi plot 13.448.100 mijë lekë detyrime. Spitali Amerikan rreth vitit 2011 ka marrë në përdorim dy sipërfaqe ambienti, njëra 1.200 metër katror dhe tjetra 267.3 metër katror dhe nuk ka shlyer qeratë. Në vitin 2017 ka marrë në përdorim të tjera ambiente, madje dhe nga ndërtuar objekte dhe sërish nuk ka shlyer detyrimet. KLSH ka audituar vetëm periudhën 2015-2017 dhe në padi thuhet se gjatë kësaj kohe, janë bërë dhe ndërtime dhe nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet. Po në padi KLSH shprehet se rekomandimet që ajo ka dhënë për shlyerjen e detyrimeve nuk janë zbatuar nga palët dhe kjo ka bërë që të ndjekë rrugët ligjore. “Nga auditimi i detyrave të lëna nga auditivet e mëparshme Spitali i Traumës u konstatuan raste të mos zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH, me vendimin e kryetarit nr.192, datë 31.12.2016 të përcjella në SUT me shkresën nr. 1115/75, dt. 23.01.2017 ku është rikërkuar marrja e masave për zbatimin e rekomandimeve, masave, shpërblim dëmi në vlerën 7.560.000 lekë për subjektin “American Hospital”, e cila rezulton e pa zbatuar”, thuhet në padi.
Çfarë tregon ky skandal?
Prej kohësh gazeta “SOT” po nxjerr në pah fijet e zeza të politikës të lidhur me oligarkë, në këtë rast Klodian Allajbeun. Skandalet që kemi publikuar tregojnë se politikanët janë të gatshëm që në këmbim të parave të shesin dhe të japin çdo gjë, edhe kur ajo gjë ka interesa të larta për vendin. Këtë fakt e tregon dhe afera që është sofistikuar dhe trashur vit pas viti me Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ish-Spitali Ushtarak. I tillë është edhe shërbimi i hemodializës që fillimisht bëhej në QSUT dhe më pas i kaloi si një “trofe” ose ofertë bujare nga qeveria, Spitalit Amerikan, i cili që kur e mori përsipër, po i shkakton shtetit shqiptar dëme të mëdha. Kështu, shqiptarët kanë paguar dy herë për një shërbim shëndetësor, një herë kanë paguar taksat dhe më pas, ministra dhe ish-ministra të Shëndetësisë, kanë bërë pazar me Spitalin Amerikan, duke i dhënë që të ofronte shërbimin e hemodializës dhe duke i ndarë më pas paratë përgjysmë. Një gjë është e sigurt. Mund të thuhet se Allajbeu ia hodhi paq skandalit me Spitalin e Traumës, por me shkeljet e rënda te koncesioni hemodializëz nuk do të ketë shpëtim nga SPAK.