Hunda dhe gishtat e Sorosit shfaqen në çdo reformë madhore, në çdo nismë ligjore, vendim, ndryshim, projekt dhe lojë politike. Pas diktimit të ligjit klientelist për arsimin e lartë, kapjes së partive politike, qeverisë dhe institucioneve, famëkeqi dhe spekulatori i bursave, George Soros, po tenton të kapë edhe drejtësinë shqiptare. Molla e sherrit mes palëve, në raport me reformën në drejtësi, duket se nuk është ndërprerja e mandatit të dikujt, disa propozime të paqarta apo parashikimet arbitrare, por është Fondacioni Soros. Projekti i rrëzuar në masën 70 për qind nga Komisioni i Venecias, i quajtur si varianti i qeverisë, në të vërtetë është projekti i Fondacionit Soros. Fatmir Xhafaj dhe qeveria thjeshtë vetëm sa e kanë mbrojtur deri në fund këtë variant. Fondacioni Soros ka financuar dhe diktuar reformën në drejtësi. Pas tentativave për të marrë drejtimin e reformës zgjedhore në Shqipëri, Soros, për arsye jo të qarta, ka sponsorizuar reformën në drejtësi. I hedhur si dyshim deri më sot në media, kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka konfirmuar gjithçka.
Gjatë një fjalimi të mbajtur me personalitetet e angazhuar me Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka theksuar se Fondacioni Soros ka financuar dhe asistuar teknikisht reformën në drejtësi. Madje, Xhafaj ka theksuar se roli i Sorosit ka qenë përcaktues për reformën në drejtësi. Fatmir Xhafaj, me fjalë të tjera, ka deklaruar se kjo është një reformë e Sorosit, nuk është as reformë e ekspertëve dhe as e SHBA-BE. “Një falënderim mirënjohjeje dua t’i shpreh Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros, Andit dhe ekipit të tij të palodhur për suportin e fortë teknik e financiar, përcaktues për ecurinë e mbarë të procesit dhe padyshim nismëtar për nevojën për një projekt ndryshimesh kushtetuese në vend”, është shprehur Xhafaj. Kjo deklaratë e Xhafajt, e cila reflekton një moment sinqeriteti, ka ardhur pas vendimit të Komisionit të Venecias për të përmbysur draftin. Po ç’të keqe ka nëse Soros financon reformën në drejtësi? Problemi qëndron një hije dyshimi që karakterizon veprimtarinë e strukturave të Soros në Shqipëri. Tek interesat e errëta dhe okulte që fshihen pas ndërhyrjeve dhe projekteve të Soros në Shqipëri. Tek influencat e dyshimta për të emëruar njerëzit e tij të besuar në qeveri, drejtësi, diplomaci dhe në çdo pozicion kyç të shtetit.
Reforma në drejtësi
Deklarata se reforma në drejtësi është asistuar teknikisht dhe financiarisht nga Soros, kompromenton rëndë procesin. Kjo deklaratë konfirmon se reforma në drejtësi, e konsideruar si më e rëndësishmja dhe më madhorja, është në duart e një personi të dyshimtë, e një spekulanti famëkeq, e një personi që dëbohet dhe që akuzohet në shumë shtete, si George Soros. Po pse strukturat e Soros në Tiranë janë investuar për të asistuar reformën në drejtësi? Cili është interesi i tyre? Çfarë synojnë me këtë proces? Pas kontrollit të qeverisë, PD dhe PS, a po synon George Soros të kontrollojë edhe gjyqësorin në Shqipëri? Adriatik Doçi