Për skandalin në spitalin “Onkologjik” opozita kërkoi në Kuvend shkarkimin e tre ministrave. Sipas deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja aktuale Albana Koçiu dhe ai i drejtësisë Ulsi Manja kanë qenë në dijeni të abuzimeve në këtë sektor. “Në këtë qeverisje të paktën tre ministra, Koçiu, Manja dhe Manastirliu duhet të ishin shkarkuar. Kanë qenë në dijeni të skandalit të onkologjikut dhe nuk kanë reaguar. Koka e korrupsionit janë këta tre ministra”, tha Vokshi. Nga ana tjetër, ministrja Koçiu tha se për aktin e mjekëve do ketë ndëshkim ligjor dhe moral dhe se me amendimin i ligjit për urdhrin e mjekut e farmacistit në të tilla shkelje do t’u hiqet përjetësisht licenca. “Kam detyrën morale për të cekur sërish çështjen tonë të famshme të Onkologjikut. Padyshim që abuzimi i rëndë që ata kanë luajtur me jetën e të sëmurëve duke kaluar çdo lloj norme, ka vetëm një përgjigjie: ndëshkimin ligjor, administrativ e moral. Do mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit. Për të sanksionuar me ligjn të gjithë ata mjekë, ata që nuk mund t’i quaj më as profesionistë, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës do kërkojmë ndryushime në ligj, do u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrë në rast se bëjnë sjellje amorale. Kam lexuar qëndrime nga ato kritiket…. Kam lexuar e dëgjuar çdo qëndrim, çdo zë. Nuk mund të përbaltet çdokush që e vazhdon punën me vendosmëri e profesionalizëm të lartë, që janë shembuj të ekipeve mjekësore. Shumëkush nga ne ka një eksperiencë të mirëfilltë sa i përket kujdesit shëndetësor në shëndetin publik. Ne vlerësojmë ndershmërinë, abuzuesit do marrin në çdo kohë ndëshkimin e merituar. Do i listojmë në Kuvend ndryshimet në ligjin për Urdhrin e Mjekut”, u shpreh ministrja. Por zotimi i ministres nuk i bindi deputetë e pozitës të cilët duke i rënë tavolinave me duar, këmbëngulën për largimin e ministres. “Jep dorëheqjen!”, tha Bardhi.