Afera “Partizani” është vetëm maja e ajsbergut për Sali Berishën, pasi dosja e tij e zezë “e non gratës” përmban dhjetëra prova që nëse SPAK i heton siç duhet përfundon pas hekurave jo vetëm ish-kryeministri, por edhe e gjithë banda që ka bashkëpunuar me të për të shkaktuar vrasje, vdekje dhe grabitje masive në Shqipëri. Ditët “e zeza” për ish-kryeministrin mund të fillojnë sot, pasi siç e paralajmëruam pak ditë më parë, një kolegj penal i Gjykatës së Lartë do të vendosë nëse çështja penale shumë e përfolur e 21 janarit 2011, do i mbetet për ta hetuar SPAK apo prokurorisë së Tiranës. Nëse afera “Partizani” e ka çuar Berishën deri në “arrest shtëpie”, vrasjet e 21 janarit do ta burgosin për jetë. Kjo do të jetë akuza e dytë do fundosë në qeli kreun e “Foltores”.
Trupa gjykuese
Do të lajë duart Gjykata e Lartë me këtë dosje apo do t’i hapë telashe Sali Berishës, kjo mbetet për t’u parë sot. Vendimi pritet të merret në orën 13.10 në dhomë Këshillimi në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues të përbërë prej Ilir Panda Kryesues, Sokol Binaj relator dhe Sandër Simoni anëtar, do të shqyrtohet rekursi i Av. Idajet Beqiri, si përfaqësues ligjor i znj. Rajmonda Nika, bashkëshorte e Aleks Nikës, vrarë prej strukturave të shtetit në 21 janar 2011 në Tiranë. Megjithatë, çdo lëvizje në raport me këtë çështje shqetëson dhe tensionon Sali Berishën të akuzuarin kryesor për vrasjet e 21 Janarit. Duhet theksuar se, Sali Berisha, ndonëse i identifikuar si frymëzuesi, orkestruesi dhe organizuesi i ngjarjeve, është lënë jashtë hetimeve për “21 Janarin”. Për Gjykatën e Lartë këtë herë presioni është shumë i madh pasi para pak javësh, Gjykata Europiane e të të Drejtave të Njeriut, e cila shqyrtoi edhe një herë nga e para krimin shtetëror të 21 janarit, pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës nxori si përfundim se shteti ishte vrasësi, duke tejkaluar kompetencat, Sali Berisha prishi provat shkresore e filmike, mori nën sqetull të dyshuarit si ekzekutorë dhe sulmoi e pengoi me sa mundi hetimin e prokurorëve. De facto para nesh u shfaq një ngjarje e hetuar në mënyrë hipokrite dhe duke fshehur fajësinë e autorëve kryesorë, një tragjedi e shkaktuar me dorën e shtetit, e cila është tentuar rregullisht të kamuflohet nga vetë shteti. Por çfarë tregon tjetër vendimi i Strasburgut? Dosja e 21 janarit me prova të rindërtuara dhe të paprishura është në duart e ndërkombëtarëve. Amerikanët kanë dhënë shpesh sinjale për hapjen e kësaj dosjeje. Në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit si shembull të dhunës politike, DASH përmend gjithmonë 21 Janarin.
Mesazhi ndaj SPAK
Vetë Edi Rama, në 21 janar 2024, kërkoi drejtësi për atë që e quajti “Dosjen e Gjakut” duke thënë se SPAK duhet të marrë në dorë çështjen. “Ne vendimin e Strasburgut cilësohet e zeza mbi të bardhë krim shtetëror të pahetuar. Duke u bërë i pamundur të lexohet me dy kuptime, sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë. Ky është një 21 janari i veçantë sepse sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, por edhe nga vendimi i Strasburgut dhe nga vullneti shprehur i SPAK dhe GJJKO për të goditur drejt, lart, pa duart e lidhura nga pushteti politik, dhe pa frikë nga dordolecët politikë. Ne sot nuk ka mbetet veçse të shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi me 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 janarin nga kurrizi pa shtyllë i prokurorisë Tiranë në duart e SPAK për të hetuar çka krejt është shkruar qartë në vendimin e asaj gjykate, asgjë më shumë, asgjë më pak”, tha ai.