Elmas Bogdani
Ashtu siç e paralajmëroi gazeta “SOT” në dy numrat e fundit, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) Ilir Beqaj është arrestuar dje, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së. Në njoftimin zyrtar të Prokuroria e Posaçme (SPAK) për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, i cili është i arrestuar së bashku me Alfred Nikollaj, ndërkohë ka hetime edhe për 4 persona të tjerë të përfshirë. Do të hetohen në një masë sigurie më të butë Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bledar Leka, Bjona Zijaj. Beqaj akuzohet për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie e shkelje të barazisë në tendera. Nëse do të qëndrojnë këto vepra penale, Ilir Beqaj rrezikon 4 vite burgim.
Zbardhen bisedat
Prokuroria e Posaçme ka përgjuar telefonat e Beqajt dhe njerëzve të tij, ku ka zbuluar korrupsionin dhe pastrimin e parave që bëhej nga ish-ministri, nëpërmjet njerëzve të tij, të cilëve u kishte lënë në pronësi pasuritë e përfituara nëpërmjet abuzimit me fondet. Në bisedat e SPAK, ka rezultuar se Beqaj përdor telefonin e shoferit të SASPAC, agjencisë që drejtonte, për të folur me një person me emrin Ermal, i cili ishte i angazhuar në administrimin e një restoranti pranë qendrës së kryeqytetit. Sipas SPAK, në bisedën e kryer në ditët e para të muajit dhjetor, Beqaj i kërkon këtij personi të takohet me dikë tjetër të njohur si Gazi, që rezulton të jetë administratori ligjor i restorantit. Nga përgjimi i një bisede mes këtyre dy personave SPAK ngre dyshime se personi me emrin Ermal, ndonëse nuk është administrator ligjor i restorantit, faktikisht ai ka bërë investime atje. Një prej përgjimeve është edhe takimi mes Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadikut në restorantin “Gzona”. Sipas SPAK, dyshohet se “ata janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në muajin dhjetor mbyllen lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin “Gzona”, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri, por nisur nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.
Restoranti që pastroheshe para
“Gzona” është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë. Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj. Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.
Ja njoftimi i SPAK
Duke zbardhur skemën e abuzimit, SPAK evidenton se për 8 shërbime prokurimi për organizimin e konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”) si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 procedura ka qenë tërësisht fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar. Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se: 1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtulaj, i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”. Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese. Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës”, njoftoi dje SPAK.
Zbërthimi i kontratave
Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar: Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N. I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë. Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z. për qëllime të përfitimit material; Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim I. B. dhe E. K. Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt. Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..”.
Fshehja e pasurisë nga Beqaj
Gjithashtu, SPAK thotë se Ilir Beqaj e ka fshehur pasurinë që nga viti 2020 e në vazhdim. “Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masën 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Ai dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtulajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulajt”, thotë SPAK.