Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur 19 masa sigurie. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se një operacion i madh është organizuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga SPAK në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Mësohet se janë lëshuar 19 masat e sigurisë, përkatësisht arrest shtëpie, por edhe arrest me burg, ku bëjnë pjesë politikanë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të medias, si edhe familjarë të tyre. Pra ka masa për disa gazetarë por dhe ortakë të kompanisë së inceneratorëve, të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, po ashtu dhe për persona të tjerë publikë. Gazeta e raportoi pak ditë më parë se BKH ka kontrolluar edhe shtëpitë e tyre. Ka qenë prokurori Dritan Prençi, i cili ka dhënë këto masa, pasi është ai që po qep dosjen e inceneratorëve. Drejtësia e re nuk po kursen askënd. Ka fakte dhe dokumente që disa pronarë mediesh dhe familjarë të tyre janë financuar nga inceneratorët. Këtë e konfirmoi dhe Departamenti Amerikan i Shtetit në një nga raportet e tyre pak kohë më parë. “Rrjedhja e informacionit mbi pagat në dhjetor 2021 dhe janar tregoi se shumë gazetarë të njohur dhe media morën pagesa të drejtpërdrejta nga kompanitë e kontraktuara për ndërtimin e inceneratorëve”, thuhet në raport.
Pushtetarët e lartë në ankth
Pak javë më parë, Prençi kërkoi shtyrjen e hetimeve për këtë dosje me 3 muaj. Kërkesa u pranua nga GJKKO. Gjatë kësaj kohe janë pyetur një sërë zyrtarësh të lartë si Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe Engjëll Agaçi si edhe kryebashkiakja e Durrësit. Inceneratori i Tiranës është një aferat më të mëdha korruptive, pasi ka gllabëruar me qindra miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë, por në realitet nuk ekziston. Është një aferë që mban brenda një aferë tjetër si ajo e dherave, e cila u ka kushtuar qytetarëve 60 milionë euro. Kjo dosje nuk do të mbyllet pa marrjen në pyetje edhe të kryeministrit Rama. Nga dokumentet që tashmë janë bërë publike për procedurat e inceneratorit të Tiranës, ka një moment kur përfshihet direkt kryeministri me firmën e tij. Rama ka hedhur firmën për vendimin me nr.855 të Këshillit të Ministrave, të datës 7 dhjetor 2016. Me këtë vendim ai ka bërë një gafë skandaloze, kur i dha bonus kompanisë së Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit që kishin bërë një ofertë të pakërkuar për inceneratorin e Tiranës. Vetëm se kompania e tyre, kur mori bonusin me firmën e Ramës nuk ekzistonte ende. Ky vendim skandaloz nuk do ta shpëtojë kryeministrin, i cili ka thënë se do të mbajë përgjegjësi për çdo firmë. Në verifikimin e SPAK, janë dhe veprimet e disa institucioneve që janë marrë me procedurat e kontratës, si Ministria e Financave që ka dhënë dakordësinë e saj për këtë projekt për të cilin raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur probleme. Por nën hetim SPAK ka vënë edhe veprimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Tiranës.
Sekuestrimi
Një hap i rëndësishëm drejt hetimeve ndodhi në gusht 2023, ku SPAK njoftoi se GJKKO pranoi kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të kompanisë “Integrated Energy B.V SPV”, e cila kontrollon inceneratorin e Tiranës. Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të përfshirë dhe në ndërtimin e dy impianteve të tjerë të ngjashëm për trajtimin e mbetjeve, në Elbasan dhe Fier, rezultojnë të jenë pronarët “de facto” të kësaj shoqërie. Ata akuzohen se përmes faturave false, të dy sipërmarrësit, tashmë të shpallur në kërkim, dyshohet të kenë përfituar afro 4 milionë euro Nga hetimet ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët, si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare. Prokuroria shpjegoi se “është evidentuar fakti se dy sipërmarrësit, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. apo dhe shoqërinë mëmë në Holandë.