Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur për të mos nisur hetimet ndaj kallëzimit penal që kryetari i Forumit të Avokatëve, Idajet Beqiri depozitoi pak ditë më parë për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Ilir Metën për sa i përket privatimizimit të HEC-eve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Gjithashtu përpos këtyre të dyve ai kërkoi ndjekjen e penale edhe për ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, ish-ministrin e Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ish- zëvendësministrin e Energjetikës Sokol Dervishaj dhe ish-drejtorin e KESH Engjëll Zeqo. Sipas Beqirit ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro. Edhe pse SPAK vendosi për mos fillimin e procedimit penal, Idajet Beqiri nuk ndalet. Ai e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Posaçme duke kërkuar prishjen e vendimit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhëroj fillimin e procedimit penal, duke kryer veprimet e domosdoshme hetimore kundër të kallëzuarve që përmendëm më sipër.
Zbardhet dokumenti
Gazeta “SOT” disponon dokumentin që avokat Beqiri dorëzoi në Gjykatën e Posaçme dhe aty thuhet se “arsyetimi i bërë nga ana e SPAK për mosfillimin e procedimit penal kundër personave përgjegjës, të cilët për interesat e tyre, të familjeve të tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, tjetërsojnë 4 pasuri të rëndësishme kombëtare, pronë e shtetit shqiptar, në një kohë që në bazë të Kushtetutës së Republikës dhe të ligjeve nuk duheshin prekur pasi u jepnin të ardhura gjithë shtetasve shqiptarë, janë të papranueshme, janë “artifice” te stisura juridike thjeshtë dhe vetëm për të përjashtuar nga përgjegjësia penale autorët e kryerjes së këtyre 4 aferave të mëdha të Qeverisë së Shqipërisë dhe të personave kryesor përgjegjës të kallëzuar nga ana jonë dhe që janë subjekte të hetimit dhe të gjykimit të Prokurorisë dhe të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. SPAK e arsyetoi mosfillimin e procedimit penal me qëndrimin që ka mbajtur Prokuroria e Përgjithshme, e cila sipas avokat Beqirit është marrë vetëm me një person, Eno Bozon, zëvendësministër, si edhe me Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 25 janar 2018, po për personin e vetëm Eno Bozo, ku sipas Beqirit duke mos patur në konsideratë që kallëzimi penal nuk ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës ose jo vetëm të këtij personi, por ka të bëjë me një numër të kallëzuarish të tjerë që janë subjekt i SPAK, si dhe për vepra të tjera të rënda penale.
Beqiri: Faktet që po injoron SPAK
Në dokument thuhet gjithashtu se “SPAK, sipas logjikës arsyetuese të vendimit të mosfillimit të procedimit penal mund të mos merret më me mungesën e shpërdorimit të detyrës ndaj ish zëvendësministrit Eno Bozo, por duhet të filloj procedimin penal për të kallëzuarit e tjerë si dhe për veprat e tjera penale që kanë kryer këta funksionarë të tjerë të lartë të shtetit, duke filluar nga vjedhja me anën e shpërdorimit të detyrës, te korrupsioni aktiv dhe pasivë, te pastrimi i produkteve që rrjedhin nga një krim, te kontrolli i pasurive të tyre për të vërtetuar ka apo jo mosdeklarim të të ardhurave, te shkelja e barazisë në privatizime etj. Të bazosh vendimin e mosfillimit të procedimit penal vetëm në një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 25.01.2018 të dhënë prej drejtësisë së vjetër, vendim i cili edhe përmend një numër të konsiderueshëm shpërdorimesh të pasurisë publike, edhe nuk përcakton asnjë përgjegjës ligjor për to, dhe për më keq, të bazohesh te ky vendim pushimi të çështjes me shifra të falsifikuara, pa kërkuar bërjen e një auditimi të plotë të situatës para dhe pas vjedhjes për llogari të të tretëve të këtyre pasurive të vlefshme kombëtare, është përsëri një vendimmarrje e kundërligjshme dhe e papranueshme. Gjykata e Posaçme duhet të mos e miratoj këtë vendim mosfillimi, por të urdhëroj SPAK të filloj procedimin penal dhe të marrë në pyetje në radhë të parë Ish ministrin e kohës të Ekonomisë Ilir Meta, i cili është personi i parë që për arsye korruptive, kishte vendosur të nxjerrë në treg për shitje katër nga hidrocentralet e rëndësishme të vendit.”
Roli i Berishës
Më pas, ish-kryeministri Sali Berisha, në rolin e organizatorit në bashkëpunim, pasi ka korruptuar ish Ministri Florjan Mima etj punonjës të varësisë së tyre në Ministrinë përkatëse, pasi të gjitha sondazhet prestigjioze e nxirrnin humbës të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013, plote 5 jave para këtyre zgjedhjeve, hartuan dhe miratuan 2 (dy) Vendime të Këshillit të Ministrave me anën e të cilave kryen veprat e rënda penale të korrupsionit përmes privatizimit të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, përmes të cilave futën në xhepin e tyre një shumë të konsiderueshme të hollash, të cilat i morën si “shpërblim” të kësaj afere korruptive nga përfituesit e këtyre privatizimeve që u bënë në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Nxjerrja në tender e katër hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe dy HEC-eve të Bistricës përbën një rast të paprecedentë, kur Qeveria shet tek privatët vepra ekzistuese energjetike të ndërtuara gjatë kohës së regjimit komunist. Të dhënat zyrtare të vetë Qeverisë që drejtonte ish Kryeministri Sali Berisha, ish Ministri i Ekonomisë Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvendësministri Sokol Dervishaj, si dhe të dhënat zyrtare të KESH që drejtonte Engjëll Zeqo tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it.”
Skema që u ndoq
Sipas Beqirit ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro. “Të dhënat zyrtare tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it. Përmes shitjes së këtyre 4 hidrocentraleve, u pakësoi shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit 10 milion dollarë të ardhura për çdo vit. Nga viti 2013 dhe deri më sot buxhetit të shtetit dhe taksapagueseve shqiptarë u janë vjedhur 100 milion dollarë”. Gjithashtu pretendohet se kanë kryer vepra të tjera penale si korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, organizatë kriminale dhe fshehje pasurie. “Ish- kryeministri Sali Berisha, ish ministri Ilir Meta, ish-ministri Edmond Haxhinasto, ish- ministri Ridvan Bode, ish- zëvendësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish Drejtorit të KESH Engjëll Zeqo, në bashkëpunim me disa ekspertë të tyre, përgatitën aferën korruptive duke ndryshuar fillimisht vendimet e Këshillit të Ministrave, si dhe duke nëpërkëmbur dhe anashkaluar Ligjin nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Këta të kallëzuar i shitën katër HEC-et, me 132. 2 milion euro më pak”, thuhet në kallëzim.
Kërkesa e Beqirit
Në fund të dokumentit, avokat Idajet Beqiri i kërkon Gjykatës së Posaçme të prishë vendimin e SPAK dhe të urdhëroj fillimin e procedimit penal, duke kryer veprimet e domosdoshme hetimore kundër të kallëzuarve Sali Berisha, Florjan Mima, Eno Bozo, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Ritvan Bode, Engjëlll Zeqo etj, për dyshimin e arsyeshëm se kanë bërë privatizimin e 4 HEC-eve Bistricë 1 e 2 dhe Ulëz e Shkopet përmes vjedhjes me anën e shpërdorimit të detyrës, të korrupsionit, “Fshehja e të ardhurave” “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.