Dita e sotme duket se do të jetë një ditë e “zjarrtë” për politikën dhe drejtësinë. Sot në orën 10.00, Lindita Nikolla njoftoi se do të mbahet seanca e radhës parlamentare, seancë e cila duket se do të sjellë sërish përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Por, ndryshe nga seancat e tjera, në orën 10.00, ish-kryeministri Sali Berisha do të duhet të jetë në SPAK. Ndaj tij ka një masë sigurie “detyrim paraqitje” dhe GJKKO ka vendosur që të hënën e parë dhe të tretë të muajit, Berisha duhet të paraqitet pranë një oficeri të policisë gjyqësor (BKH) në SPAK. Në nëntor Berisha ja hodhi paq, duke u kapur pas faktit se vendimi nuk kishte marrë formë të prerë, pasi e kishte ankimuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme. Por edhe Apeli nuk e ndryshoi masën dhe do të thotë se tani është taksative dhe nëse Berisha sot nuk shkon në SPAK, duke refuzuar për herë të tretë, atëherë drejtësia është në test para tij. Neni 231 i Kodit të Procedurës Penale detyron prokurorinë dhe gjykatën që të vendosin një masë sigurie më të rëndë: “Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”.Pra duket se drejtësia do të jetë në test. Nëse ndaj Berishës nuk merret asnjë masë, atëherë mund të themi se reforma ra, pasi kemi drejtësi me dy standarde. Nëse një qytetar i thjeshtë thyen masën e sigurisë, ai arrestohet direkt, ndërsa për politikën ky standard nuk ekziston. Por teksa gazetarët e kronikës do jenë te dera e SPAK në orën 10.00, sipas informacioneve, Berisha do të jetë në Kuvend për të dërguar një tjetër mesazh. Priten sërish flakadanë, tymuese dhe tensione në sallë. Që do të thotë me shumë mundësi seanca do zgjasë 5 minuta e do të mbyllet, duke qenë se në rend dite është diskutimi për zgjedhësit. Megjithatë sinjalet janë se do të jetë një e hënë e ngjeshur dhe nëse do të ketë më shumë zhvillime e ka në dorë SPAK.
Berisha: Edi Rama nuk rrëzohet me fjalime
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha, i është drejtuar me një thirrje të fortë, qytetarëve shqiptarë në fundjavë nga foltorja e Kuvendit Kombëtar i Rithemelimit që u mblodh në Tiranë këtë të shtunë. Ndër të tjera, në fjalimin e tij, ai u bëri thirrje të gjithë opozitarëve tëbashkohennë aksionin pa kthim me mosbindje civile. “Ju të dashur shqiptarë në emigracion dhe diasporë, që jetoni në vend të lira, jeni engjëj, gardianë të vërtetë të Shqipërisë dhe demokracisë së saj. Prandaj ju bëj thirrje në këtë betejë për shpëtimin e Shqipërisë, kundër armikut shqipfolës, Edvin Kristaq Rama, të bashkoheni me ne, në aksion pa kthim.Ne do të fitojmë! Kush i vuan sot pasojat e diktaturës. I vuajnë më së pari të rinjtë shqiptarë të cilëve u vritet ëndrra. Dhe ëndrra e tyre është e ardhmja e Shqipërisë.I vuajnë studentët, intelektualët, fermerët, minatorët, arsimtarët, artistët, ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët, bizneset e mesme dhe të vogla, pensionistët, prodhuesit, të varfrit, të papunët, por edhe të majtët e tradhtuar.Por çfarë të gjithë këta?Këta janë shumica e heshtur e shqiptarëve. Këta janë të vërtetë, luani i fjetur i Shqipërisë. Bashkimi ynë do të jetë zgjimi i luanit.Zoti i Shqipërisë, është sovrani dhe jo Edvin Kristaq Rama”, deklaroi ai. Më tej Berisha theksoi se Rama me votë nuk ikën nga pushteti, ndërsa votën e lirë nuk e lejon.“Edhe sot narkoregjimi i Edi Ramës do zgjojë luanin e fjetur te shqiptarët. Pse i thashë këto fjalë?! Sepse çdo shqiptar sot duhet të ndajë mendjen, sepse kjo nuk është betejë politike, kjo është luftë për ekzistencën, për shpëtimin e kombit dhe të Shqipërisë.Ne nuk jemi kundër një partie, por kundër një partie shtet, e zaptuar nga mafia shtetërore më e rrezikshme e Europës me në krye Edi Ramën. Me votë ai nuk ikën, se votën e lirë nuk e lejon. Se po la pushtetin, ai përballet me përgjegjësinë e krimeve të tij të tmerrshme ndaj shqiptarëve që u ka bërë këtë dekadë.Çfarë mbetet për të bërë në këto rrethana? Përgjigjen për këtë e kemi demonstruar në parlament, aksion pa kthim, mosbindje civile! Aksion pa kthim gjer në fitore.43 vetë jemi në parlament, vetëm një muaj kemi dhe me kaq veta në kaq pak, me betejën tonë pa kthim, mosbindjen civile, ne fituam dy beteja kyçe”, nënvizoi Berisha.