Ish-deputeti i njohur i Partisë Socialiste, Spartak Braho, ka reaguar për lajmin e vizitës në Tiranë të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, i cili ka ndezur reagime të shumta në politikë, pasi axhenda për Shqipërinë ende nuk është zbardhur. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Braho shprehet se numri 2 i SHBA vjen në Tiranë me një axhendë te pasur kryesisht edhe për të shtyrë e mbështetur proceset europianizuese të vendit tonë, që kanë ngecur në sajë të sorollatjeve të pajustifikuara e burokratike të BE, por dhe të stërkëmbëshave që i kanë vënë, vetë politikanët shqiptarë të ditës, njëri-tjetrit. Sipas ish-deputetit të PS, Z. Blinken vjen të bëje edhe një “vizitë” ne aeroportin e sigurt ushtarak shqiptaro-amerikan në Kuçovë. Ish-ligjvënësi Braho thotë gjithashtu se zyrtari i lartë i SHBA mund të takojë dhe kreun e SPAK Altin Dumanin për t’i dhënë një mesazh të gjithë armiqve të Reformës në Drejtësi. Për Spartak Brahon, Blinken mund t’ju komunikojë mbështetje dhe rroga më të larta, por si vendim të do hyjë në fuqi kur ata të arrestojnë të gjithë të paprekshmit që kanë vite që mbretërojnë në politikën shqiptare.
-Zoti Braho, përse vjen Z.Blinken ne Tiranë?
Vizita e Z.Blinken është dhe do jetë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, aq më tepër që ai vjen për herë të parë, si dikur sekretari shtetit Bejker, që çeli inaugurimin e një epoke të re ndryshimesh në vitin e largët 1991. Ai, Z.Blinken është numri 2 i SHBA, e pse mos themi qe është pak më shumë se kaq, ndërkohë kur presidenti Biden i ka te kufizuara lëvizjet jo vetëm për shkak të moshës, por dhe angazhimit në fushatën elektorale të nisur prej tij ndaj një kundërshtari të ashpër e të krisur si adoleshent, që për hir të vërtetës duhet t’i kishte bërë ca kohë “psikoterapi” ne Alkatrazin modern për pucin qe nisi, por nuk e realizoje sepse demokracia amerikane dhe ligji funksionoi. Këtë fakt tashme e di jo vetëm populli amerikan, bota demokratike, por edhe shtetasit shqiptare qe jetojnë ne Amerike se çdo të bëjnë për ditën e votimit qe po vjen. Z.Blinken vjen në Tiranë me një axhendë te pasur kryesisht edhe për të shtyrë e mbështetur proceset europianizuese të vendit tonë, që kanë ngecur në sajë të sorollatjeve të pajustifikuara e burokratike të BE, por dhe të stërkëmbëshave që i kanë vënë, vetë politikanët shqiptarë të ditës, njëri-tjetrit.
-Me cilët do te takohet Sekretari Amerikan i Shtetit ?
Z. Blinken vjen të bëje edhe një “vizitë” ne aeroportin e sigurt ushtarak shqiptaro amerikan qe ngrihet në këmbët e malit madhështor të Tomorit, në Kuçove. Me këtë rast ai do te njihet me saktësi për distancën e largësive në milje, të aeroportit te Kuçovës me disa prej kryeqyteteve europiane, aleate te Putinit, sepse largësinë me Beogradit kane patur rastin ta masin me pare Gjenerali i Ushtrisë Amerikane Z.Klark ne vitin e pa harruar 99, gjate Luftës Çlirimtare të UÇK dhe popullit të Kosovës. Ai vjen te takoje e marre pjese edhe ne ndarjen e çmimeve te festivalit teatral me repertor tragjiko- komike te disa autoreve shqiptare dhe serbe dhe tu japë çmimet përkatëse katërshes pozite-opozite Berisha-Meta-Rama- Basha, etj. Z.Blinken vjen këtu të takojë e kalojë një dite “weekendi” nën shoqërinë e Altin Dumanit, kreut të SPAK dhe t’i mësojë Berishës e Co. ta “lexojnë dhe shqiptojnë” me mire këtë fjalë të magjishme, por jo shume të dashur dhe të kapërdirë për ta, sepse SPAK-ut thonë Skap, kur ai ne fakt është KAPS.
-Por do të ketë në axhendën e Z.Blinken ndonjë takim direkt apo indirekt me Z.Sali Berisha?
Shpresoj qe po, pavarësisht qe Berisha është sistemuar i ngujuar në një çati shtëpie te katit te katërt te nje pallati ne Rrugën Mustafa Motohiti, ai do ti komunikoje me te ngujuarin qe “mbjell shpresën e madhe te rithemelueseve” edhe për fundin e gjyqit francez ku ai e paditi për shpifje per deklaratën e Z.Blinken te datës 19.05.2021 ku nder te tjera nëpërmjet saj vuri ne dijeni se Berisha shpallet PERSON ‘NON-GRATA’ me motivacionin, citoj : Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.”
-Sipas jush, a do te ketë takime te tjera Z.Blinken në axhendën e tij?
Ne fund te vizitës Z. Blinken së bashku me “ustallarët” do tu komunikoje Prokuroreve te SPAK dhe Gjykatësve speciale vazhdimësinë e mbështetjes për ta, qe ja u siguron Reforma ne Drejtësi, sigurinë për jetën dhe atë material, qe do te kushtëzohen nga lufta kundër krimit te organizuar, sekuestrimet dhe goditjet ne qarkullimin e drogës në Shqipëri e me gjere, nga Europa e deri ne Ekuador, Panama, etj. Por këto “benifite” plus do të mbështeten edhe me dhënien e titujve HERONJ TE KOMBIT këtij “deshtament te drejtësisë”, atëherë kur ata të fillojnë të pastrojnë dhe shkundin edhe disa dosje të “harruara” penale që i ka mbuluar pluhuri i harresës politike. Pak a shume kjo do të jetë axhenda simbolike e vizitës së sekretarit të shtetit Antony Blinken, sepse axhendën reale nuk e di as Edi Rama dhe Ilir Meta që po merren me serialet e Asamblesë dhe subvencionimet qe duhet të marrin kafshët e blegtorisë të barinjve shqiptarë, nuk e di as Arben Ahemtaj, as i sapokthyeri nga Dita e pëshpëritjeve në vesh Gaz Bardhi.
-Çfarë mund te parashikojmë tjetër ne axhendën e Z.Blinken?
Ndoshta, ndoshta Z.Blinken mund ta shtyjë edhe disa dite qëndrimin në Shqipëri, deri në 20 Shkurt, jo si përvjetori i ditës se rënies te bustit te Enver Hoxhës, por të shohë dhe njohë direkt antikomunistet shqiptare te llojit te Havelit, se si do te demonstrojnë e si do ti turren rithemeluesit me ne krye Mul Noken nga Prizreni, Edi Palokën nga Puka e Gaz Bardhin nga Kavaja, qe te pushtojnë e djegin si para një viti, zyrat e Shqupit për të kapur gjallë e vrarë Bashën dhe Alibeaj-n, si do te ngujohen ne Institucionet Kushtetuese duke djegur me flake e shashka Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë.
-A do te jete valle kjo axhenda?
“Presim dhe shpresojmë”, thotë një personazh historik i romanit “Konti i Monte Kristo” të shkrimtarit të madh Viktor Hygo.
Intervistoi: Rigels Seliman