Avokati i njohur Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Ngjela thotë se çiftin Meta-Kryemadhi e presin “ditë të zeza”. Në fund thotë avokati, nëse ata nuk justifikojnë dot të ardhurat pas hetimeve të thelluara nga drejtësia e re në patronazh nga amerikanët, do të ketë sekuestrim pasurie. Po ashtu Ngjela ka treguar dhe arsyet pse ish-presidenti Ilir Meta ka braktisur përfundimisht Sali Berishën së fundmi. Sipas tij, ai po distancohet nga frika e një “non grate” nga amerikanët. Nga ana tjetër, Ngjela thotë se pandëshkueshmëria ka ardhur në Shqipëri dhe këtë fakt e tregojnë arrestimet e SPAK, të cilat janë në nivele të larta.
-Zoti Ngjela, Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të 2023, a mendoni se rrezikon t’i digjet mandati i deputetit, apo drejtësia mund ta lirojë nga akuzat?
Drejtësia nuk të liron dot nga akuzat por mandati nuk i ikën pasi ka mungesën e mos vajtjes në Parlament me arsye, njësoj si të jetë i sëmurë. Pasi të dënohet, nëse do dënohet dy muaj, shtatë muaj, një vit ose dy vjet burg, atëherë i ikën mandati. Ndërsa tani dhe nëse mungon gjashtë muaj ose brenda muajve që i duhet të jetë në Parlament, ai e ka të justifikuar se është i izoluar në shtëpi me vendim gjyqësor, njësoj sikur të ishte i sëmurë.
-Si i shihni sulmet e tij çdo natë nga banesa ndaj prokurorëve të SPAK që po hetojnë dosjet e tij?
Të gjithë të akuzuarit sillen, këtë mendje kanë të gjithë por Berishën e ka arrestuar SPAK-u. SPAK-u drejtohet nga amerikanët. Ai të shkojë ta zgjidh në Gjykatë, të tjerat janë broçkulla.
-Nga ana tjetër, Ilir Meta është shfaqur shumë aktiv ditët e fundit duke bërë dhe sjellje që nuk janë të natyrës së tij, që gjithmonë ka mbajtur një profil të mbyllur si politikan. Ai po sulmon prokurorët e SPAK, madje ka dhënë sinjale se është i gatshëm të bëjë “kurban” dhe familjarët e tij kur bëhet fjalë për shkelje të drejtësisë. Keni një koment?
Marrëzi, fakti që Meta është përpara akuzës ka humbur ekuilibrin. Të gjithë të korruptuarit do shkojnë në proces penal, ato që nuk janë të korruptuar nuk është nevoja të kenë frikë. Ato që kanë prona më shumë se mundet, pushtetarët do të shkojnë në hetim. Të gjithë ato që kanë qenë në pushtet, kanë vënë para dhe ua kanë gjetur ndërkombëtarët ose SPAK-u do të shkojnë në proces penal, as diskutohet. Le të shkojnë të marrin pafajësinë. Po ku e kupton dot Meta se çfatë është një hetim i specialitetit të lartë të FBI – së, për një çështje të rëndësisë së veçantë politike, që ka të bëjë edhe me konfliktin Amerikë – Rusi?! Prandaj pikërisht këtu jemi tani, tek ky raport: FBI vs Meta. Dhe kjo çështje, profesionalisht, mua më duket e mbyllur. Se çifti Meta është përballë FBI -së. Dhe hetimi po shkon shumë larg, e shumë thellë. Kurse çifti Meta kuptohet që është në tension nervor, se Metën po e shohim majë hekurave, por nuk kemi dëgjuar asnjë frazë të mençur prej tij, ndonëse ai është nën akuzë. Kurse ndërkohë, Meta prishi edhe koalicionin me Berishën. Pse kaq vonë, dhe pse, kaq i shqetësuar të jetë Meta me faktin Berisha?!! Kuptohet edhe pseja. Sepse Berisha është ‘non-grata’ në Amerikë, dhe bashkëpunimi i Metës me Saliun që është ‘non-grata’, i ka dhënë Metës mendimin me shqetësim se mos politika amerikane e nxjerr ‘non-grata’ edhe Ilir Metën. Atëherë… Ky proces antikorrupsion me një ish kryeministër të arrestuar, dhe po ashtu, edhe me tre ministra dhe një zv/kryeministër të arrestuar për korrupsion, me kryetarë dhe ish kryetarë bashkish të arrestuar, me drejtorë qendrorë e me sekuestrime të shumta parash, po vijon…Atëherë, rruga është ajo e duhura…Prisni dhe shikoni !
-SPAK ka futur në sitë pasuritë e familjes Berisha dhe Meta, mendoni se mund të ketë sekuestrime pasurish për shkak se gjithë këto vite është folur për shumëfishimin e dyshimtë të parave të tyre?
Në sekuestro iu vihet pasuria sapo ka një padi penale dhe e mban SPAK-u pasurinë në ruajte. Nëse dënohesh me vendime gjykate dhe Gjykata ka konfiskimin e pasurisë, e merr shteti. Sekuestron e pasurisë ia kanë vënë dhe dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit. Është natyrë e procesit. Nëse arrestohen, do te preken pasuritë dhe do iu vihen në sekuestro e do i kalojnë shtetit.
-Ndërkohë si i e patë paraqitjen e fundit të zonjës Fatime (e ëma e Monika Kryemadhit) në SPAK, ku pas daljes tha që është pyetur për çështjen e pallatit, diçka që është përmendur dhe nga zonja Kryemadhi, ku pretendoi se gjithçka e ka të faktuar me transaksione bankare. Çfarë po ndodh sipas këndvështrimit tuaj?
Nuk e di. Ato janë në proces penal dhe do shohim se çfarë do të thotë Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme. Janë në proces penal dhe i thërret SPAK kur duhet. Ndërsa kur dalin nga SPAK kanë të drejtë të gënjejnë çfarë të duan. SPAK-u i thërret për atë çfarë i akuzon. Dihet që SPAK i ka akuzuar, dihet që Shqipëria ka pasur korrupsion. Të shikojnë nëse SPAK do t’i dënojë apo do të marrin pafajësinë.
-Zonja Fatime pas daljes thotë kam pasur një tokë, kam patur një shtëpi, kam punuar, I kam të gjitha me bankë dhe me paratë e pallatit kam ndihmuar dhe vajzën. I besoni?
E thërret instituti i akuzës për pyetje sepse njerëzit e afërt i ka nën akuzë. Atë e thërret për të sqaruar, por nuk mund të thotë para gazetarëve se çfarë ka biseduar brenda SPAK-ut. Të shkojë dhe t’ia provojë gjykatës së SPAK-ut, nëse ka apo jo pallate e toka. Nëse zj. Fatime nuk e provon dot se ku e gjetur apo fituar atë pasuri, ia konfiskon Gjykata e Posaçme.
-Duke parë goditjet e SPAK si djathtas, por edhe majtas, si i shihni pozitat e qeverisë?
Deri tani qeveria aktuale ka tre ministra te akuzuar, ish-ministra, kështu do ecë kjo. Nuk e drejtojmë ne luftën e anti-korrupsionit, e drejton SPAK-u. Këtë të fundit e drejtojnë ekspertë amerikan nga Uashingtoni dhe nuk akuzon njeri pa prova. Deri tani SPAK-u nuk ka dhënë asnjë lajm.
-A ka ardhur koha që do të marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri, ku të paprekshmit do të japin llogari para drejtësisë për aferat e tyre korruptive dhe kriminale ndër vite?
Pandëshkueshmëria ka ardhur në Shqipëri, janë të arrestuar brenda në burg tre ish-ministra, një ish-zv/ministër, një ish-kryeministër, 8-9 kryetarë bashkish, katër drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Kjo është ndëshkueshmëri.
Intervistoi: Xhoana Vraniçi