Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka zbardhur të fshehtat e zgjedhjeve të parakohshme lokale të mbajtura këtë të dielë në Bashkinë Kukës, ku çifti “Berisha-Meta” humbën sërish, madje disfata ishte edhe më e thellë se rezultati i 14 majit, çka tregon qartë se ish-kryeministri në më pak se katër muaj arriti të përgjysmojë mbështetësit e tij. Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela tregon se kush ia dha goditjen e madhe në prapaskenë Sali Berishës. “Kukësi sërish e hodhi Saliun në batakun e humbësit. Ishte logjike: kuksianët punojnë në Angli me shumicë dhe mbajnë familjet këtu, për t’i nxjerrë nga varfëria. Atëherë, si do të votonin ata për Saliun, i cili është ‘non-grata’ edhe në Angli edhe në Amerikë?! Po Partia Demokratike nuk e dinte këtë? Nëse nuk e mbante mend, a u kujtua tani? Si mund të ketë një parti të djathtë në Shqipëri që të jetë anti-amerikane? Po jo vetëm kaq: përse do t’u duhej kuksianëve Saliu, për ato gënjeshtra që thotë, apo për ato që ka bërë. Gjithsesi, kur Saliu është mbi 3000 vota mbrapa në Kukës, pyetja që duhet të ngrihet nga Partia Demokratike është kjo: ku mund të fitohet me Saliun në Shqipëri? dhe përgjigjja është e thjeshtë: Askund! Atëherë? Gjithçka do të flasë majtas. Dhe kjo do të vijojë ta dobësojë edhe më shumë të djathtën në Shqipëri”, shkroi ai.
Ja çfarë e pret “non-gratën” sipas avokatit
Më tej avokat i njohur, Spartak Ngjela ka treguar edhe se çfarë e pret ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, Berisha është i paaftë dhe se ky defekt nuk e ndihmon atë të ketë suksese. “Po Saliu nuk e kupton këtë? Ashtu siç flet, me atë nivel logjik që po tregon, ka mundësi që edhe të mos e kuptojë. Por, Saliu duket se po mendon që me Partinë Demokratike do të mundë Amerikën në Shqipëri. (!) Domethënë që edhe Kosova, edhe Shqipëria të jenë pa mbrojtje kundër sllavëve. Por ja, që, pikërisht kjo nuk mund të ndodhë. Kurse “non-grata” duhet t’i bindet rregullave të lojës, se po e rëndon edhe më shumë pozitën e tij në Amerikë dhe në Bashkimin Evropian. Kurse ka një aksiomë për kohën: I paafti nuk e ndryshon dot kohën e tij… Domethënë, duhet t’i nënshtrohet asaj”, shprehet ai.
Ngjela: Berisha, si Haxhi Qamili
Më herët avokati Spartak Ngjela e ka krahasuar ish-kryeministrin Sali Berisha me Haxhi Qamilin. Ngjela theksoi se Berisha foli si Haxhi Qamili kur paralajmëroi nisjen e aksionit të protestave. Madje ai deklaroi se ish-kryeministri e ka të pamundur të organizojë protesta domethënëse, pasi pretendoi se nuk ka përkrahës. “Ka folur si Haxhi Qamili. E njihni Haxhi Qamilin? Këtë thotë dhe Saliu. Do sulmoj tha, Korçën, edhe i vajti ambasadori francez dhe i tha kujdes se këtu preket interesi francez. Dëgjo çfarë i tha Haxhi Qamili. Ku pyes unë për Francën kur kam Peqinin dhe Kavajën me vete. Tani këtë thotë dhe Saliu. Do bëj luftë. Më çfarë? Si? Si Haxhi Qamili? Ku i ka përkrahësit? Nëse ai nxjerr 100 mijë njerëz në protestë tronditet dhe perëndimi dhe do kërkojnë zgjedhje të reja, por ky thotë do ta marr me dhunë”, nënvizoi avokat i njohur, Spartak Ngjela.