Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, lidhur me shpërthimin që ndodhi në Vlorë ndërsa është plagosur në atentat kryekomunari, tha se kanë nisur hetimet, por vjen një kohë që ato kanë edhe një stepje, për shkak të shumë faktorëve. "Policia e shtetit ka filluar hetimet. Po punohet me Prokurorinë në Vlorë dhe shpresojmë të kemi një zgjidhje", tha më tej Tahiri. Duke vënë në pah situatën e rënduar në vend, Tahiri tha se kjo është e trashëguar ndër vite, ndërsa mungojnë alternativat ndërmjetësuese.
"Fillimisht i uroj shërim të shpejtë kryetarit të komunës dhe jemi në krah të tij. Ka një lloj ciklike në kriminalitetin e theksuar, sidomos në Vlorë me eskploziv. Është një situatë e rënduar, që është një situatë e trashëguar që nuk zgjidhet në kaq pak kohë. Policia ka nisur hetimet dhe kemi nisur hetimet edhe për ngjarjet e kaluara, si gjyqtarin Konomi. Jemi duke hetuar për mënyrën se si lidhen me shpërthimet me eksploziv. Po punohet bashkë me Prokurorinë e Vlorës".
"Me iniciativën time jam interesuar për një sërë ngjarjesh të rënda dhe ndër to është edhe vrasja e gjyqtarit Konomi. Nuk e di se kujt konkretisht i është referuar presidenti aktual, por mbetet shumë punë për ta zbardhur atë ngjarje. Ky është një treg lokal dhe jashtë Shqipërisë. Bëhet fjalë për rajonin. Është shumë e sofistikuar dhe bëhet fjalë për rrjete kriminale, që merren me tregtinë e eksplozivit. Trashëgojmë një potencial kriminal të madh në shoqëri. Zgjidhja e konflikteve me armë është kthyer një trend i shpeshtë", tha Tahiri.