Në Delvinë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet prezantoi kandidatët për deputet të Qarkut të Vlorës. Deputetit aktual i PDIU në këtë Qark, njëherazi dhe kandidat për deputet, Dashamir Tahiri, ka falenderuar qytetarët e Delvinës për mbështetjen e dhënë.
Gjatë fjalës së tij ai ka garantuar se edhe në 4 vitet e ardhshme, deputetët e PDIU do jenë pranë qytetarëve.
“Miq, ne kemi treguar se në këto 4 vite edhe pse vetëm me dy deputetë, kemi bërë shumë. Ne nuk ju kemi bërë premtime të kota, por kemi treguar me fakte se kemi qenë pranë jush. Unë ju garantoj se edhe në 4 vitet e ardhshme, do jemi pranë jush dhe problemet tuaja. Unë ju bëj thirrje edhe një herë që më datë 23 Qershor të votoni numrin 50, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si partia e vetme që ka në themel të saj çështjen kombëtare,” deklaroi Tahiri.