Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thumbuar takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Milano.
Manjani thekson se kreu i qeverisë shqiptarët në Shqipëri i konsideron dele, e ndërsa jashtë shtetit emigrantë. Ish-ministri gjithashtu shton se në të dyja rastet i njeh si hysmeqarë të pushtetit të vet personal.
Postimi i plotë i Manjanit:
Shqiptarët në Shqipëri i konsideron dele që ja kanë borxh votën, ndërsa ata jashtë shteti i quan thjesht emigrantë. As shqiptarë jo.
Në të dy rastet nuk i njeh shqiptarët si qytetarë me liri e të drejta, por thjesht si hysmeqarë të pushtetit të vet personal.
Për fat të keq gjysma e shqiptarëve e pranojnë të jenë hysmeqarë të tij. Aq i duhen atij për të injoruar gjysmën tjetër dhe për ti sunduar të dyja gjysmat.
Por një gjë tashmë ka marrë udhë dukshëm. Ai ka hyrë në strehën më të fundit të maskarallëkut.
Patriotizmi.
Me këtë kartë po synon të hyjë në një fazë të re të jetës së tij politike në sundim total. Për fat të keq sundimi me kartën e patriotit, aq më tepër pa qenë asnjë sekond patriot, është më i egri nga sundimet. Është film i parë e stërparë në histori, përfshi edhe në tonën.
Kështu që cilido që duartroket patriotizmin sot, të përgatitet të dorëzojë të drejtat e tij. Ose të shtojë radhët e emigracionit..