Janë zbardhur të tjera detaje nga kallëzimi i fundit që ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme për oligarkun Klodian Allajbeu. Gazeta raportoi pak ditë më parë se në dosjen që ndodhet mbi tryezën e SPAK kërkohet që Allajbeu të hetohet për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”, “vjedhjes me anë të mashtrimit të pasurisë publike”, “korrupsionit aktiv të funksionarëve publikë”, “fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave”. Përveç këtyre akuzave, kërkohen hetime edhe për një sërë kompanish, për të cilat ka dyshime të forta se kontrollohen në mënyrë indirekte nga Klodian Allajbeu, përmes personave të besuar. Gjithashtu detajet e reja tregojnë se në dosjen e depozituar në SPAK, ndaj Klodian Allajbeut, të kallëzuar janë po ashtu Janis Karathano, si dhe zyrtarja me inicialet SH.B, ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe një numër i lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh. Në kallëzimin penal thuhet se: “Përmes këtij kamuflimi, dyshohet se Janis Karathano ka paguar një pjesë së tarifës së korrupsionit në këmbim të koncesionit të paligjshëm, i cili ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit dhe ka përvetësuar paratë publike”. Më tej është treguar edhe skema që Allajbeu në bashkëpunim me Janis Karathanos arritën të marrin mbi 200 mln euro koncesione. Sipas akuzave, biznesmenë të ndryshëm kanë shpërblyer me miliona para të afërm të zyrtarëve të lartë shtetërore, pasi ata iu kanë firmosur tendera e koncesione me vlera miliona euro. Në këtë rast përmendet shtetasja N.B, e cila nga pagesa 1 mln Lekë në muaj nga kompania Pegasus e koncesionit të Laboratorëve, ka shkuar 30 mln Lekë në muaj. Ajo është ish-drejtuese në letra e kompanisë PEGASUS e cila ka si drejtues aktual oligarkun Janis Karathanos dhe është kompania fituese e koncesionit të Laboratorëve me vlerë 130 mln Euro. Shtetasja N.B rezulton me pagë mujore 30 mln Lekë në muaj si analiste menaxhimi në këtë kompani.
Kallëzimi penal
Kujtojmë se pjesë e kallëzimit janë edhe zyrtarët përgjegjës të mbikëqyrjes së kontratave koncesionare dhe e para është Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë, e cila është kallëzuar për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore. Pas saj në listë vjen Erion Manohasa, Alketa Hila, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Degjoni, Elsa Berziu, Albana Çela, ish-drejtues të Fondit të sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor. Rasim Hamzaraj, Jani Karathano, Sokol Ramizi, dyshohet se janë “maskat” e Allajbeut përmes të cilëve kontrollon koncesionet miliona euro. Ka dyshime se paratë përmes një zinxhiri kompanish trasferohen në Holandë e prej andej në Britaninë e Madhe ku investohen në pasuri të paluajtshme. Këtu përmendim “Diavita Sh.P.K” një kompani që u krijua nga dy kompani të tjera, përkatësisht 15% zotërohej nga American Hospital i Klodian Allajbeut dhe 85% nga Evita sh.p.k. Pas marrjes së koncesionit së hemodializës, për të humbur gjurmët, Evita sh.p.k shiti aksionet e saj tek një kompani guackë në Holandë për vetëm 160 mijë euro. E njëjta gjë vlen edhe për koncesionin e laboratorëve i cili u fitua nga bashkimi i kompanive “Labopharma” me qendër në Tiranë, “Exalab” me qendër në Francë dhe një kompani guackë me emrin “AB Laboratory Solution” B.V e cila rezulton e regjistruar në Holandë.