Ilir Yzeiri vlerësoi Saimiri Tahirin si ministrin më të suksesshëm dhe se përballja me drejtësinë tregoi dinjitetin e tij.
Ai deklaroi se shumë ministra e ish-ministra në kohën e qeverisjes Berisha i janë shmangur përballjes me drejtësinë.
“Basha u akuzua për korrupsion e shpërdorim detyre kur ishte ministër i Transportit, ai nuk u paraqit asnjëherë në sallën e gjyqit, edhe Fatmir Mediu po ashtu. Të gjitha këto janë pjesë e regjimit dhe se nuk e njihte sistemin e drejtësisë. Regjimi nuk e njihte sistemin e drejtësisë. Ndërsa ministri Tahiri nuk iu shmang asnjë seance gjyqësore”, tha Yzeri në Breaking.
Më tej ai shtoi se “Mendoni se çfarë do të kishte bërë Sali Berisha nëse do të ishte ministri i tij i Brendshëm, kujtojmë 21 janari, ku Berisha sfidoi kryeprokuroren e vendit”.
“Tahiri tregoi dinjitetin e një shtetari dhe i qëndroi deri në fund, duke u përballur me drejtësinë. E në fund fare vajti të vuante dënimin, këtë vetëdije kishte ai, nuk ishte si ish-kryeprokurori Llalla. Ai është në kërkim dhe në ndjekje penale iku në Romë dhe nuk doli përpara drejtësisë siç u paraqit Tahiri”, theksoi Yzeiri.
Ndërsa ai shprehu se drejtësia duhet të japë prova për ndëshkimin e kriminalitetit me kollare, duke shtuar se duhet të nisë hetimet për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.
“Sistemi i drejtësi po na jep prova ne si sillen ato ndaj njerëzve të regjimit. Ata janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, nëse nuk ngrihen akuzat ndaj tyre atëherë do të themi se sistemi i drejtësisë është i njollosur. Duhet drejtësi për kriminelët e regjimit, që nga viti 1991, u ndërtua nga Berisha një regjim i egër kriminale, që bëri që SHBA e futi në listën e kriminelëve më të egër në Ballkan. Drejtësia shqiptare duhet të gjejë kurajën e të na tregojë se çfarë do të bëjë për kriminalitetin me kollare”, theksoi Yzeiri.