Baza e re ajrore taktike e Kuçovës e inauguruar të hënën në prani të krerëve më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të NATO-s është konsideruar një sukses për mbrojtjen shqiptare.
Investimi i Aleancës me vlerë mbi 50 milionë euro ka ndryshuar tërësinë e bazës me histori gati 90-vjeçare, duke e rehabilituar atë në një strehë moderne mjetesh luftarake ajrore, të cilat pritet të dislokohen për nevojat e sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Analistja Brizida Gjikondi nënvizoi faktin se në syrin e huaj, shqiptarët janë ndër popujt e veçantë europianë që e kanë pritur me entuziazëm këtë zhvillim.
“Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Kroseto (o. Crosseto) tha sot se Italia ka investuar shumë në bazën e Kuçovës dhe pilotët shqiptarë po ashtu trajnohen në vendin e tij. Ai bëri edhe një shaka, duke thënë se kur u ngritën 44 baza të NATO-s në Itali ka pasur revolta në zona. ‘I vetmi vend entuziast në Europë janë shqiptarët,’ tha ai. Në këtë 15-vjetor, Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që ngre një bazë të NATO-s. Sipas medieve ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama ka ofruar edhe Pashalimanin si bazë për NATO-n,” tha Gjikondi.