Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u paraqit dje më 17 maj në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Gazeta “SOT” e paralajmëroi këtë lajm duke thënë se ishte radha e tij për të dhënë sqarime për aferën e inceneratorëve. Pasi doli nga godina e prokurorisë pas 4 orësh, Agaçi deklaroi shkurtimisht se ishte thirrur si person që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës dhe se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë. Gjysmë ore pasi Agaçi doli nga SPAK, aty u paraqit dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, e cila qëndroi dy orë brenda SPAK. Ndërkohë, të mërkurën më 15 maj, Prokuroria e Posaçme administroi edhe deklarimet e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila mban njëkohësisht pozicionin e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës. Balluku deklaroi për mediat se ishte thirrur për dosjen e inceneratorëve dhe se duhej të jepte disa sqarime, që sipas saj të shërbenin për zbardhjen e çështjes.
Si po qepet dosja e inceneratorit të Tiranës
Zoti Agaçi qëndroi mbi tre orë për të dhënë shpjegime rreth procedurave të ndjekura nga qeveria, për miratimin fillimisht të bonusit kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit, e më pas dhe të kontratës. Hetimet paraprake të Prokurorisë kanë zbuluar se Këshilli i Ministrave i dha bonusin prej 8 përqind kompanisë “Integrated Energy BV”, me seli në Holandë, e cila nuk ishte rregjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji, ndonëse një fakt i tillë i ishte vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atëhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, ndërsa ishin shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë. Ndërsa, sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017. Nga ana tjetër, dyshohet se kryetarja Emirjana Sako qëndroi dy orë për të dhënë shpjegime për një kontratë për depzotimin e mbetjeve tek inceneratori i Tiranës që u kushton qytetarëve 10 milionë euro për koncesionarin dhe 15 milionë euro të tjera për transportin. Emirjana Sako është thirrur si dëshmitare edhe në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët të ngritur me kërkesë të opozitës. E vënë përballë pyetjeve të deputetëve të Partisë Demokratike, Sako në atë kohë braktisi mbledhjen me pretekstin se po i shtrembëronin fjalët. Pavarësisht thirrjeve të demokratëve se ajo do të procedohej penalisht për refuzim dëshmie, ajo u largua nga salla.
Thirrja e Veliajt
Në fund të muajit prill, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, qëndroi afro 7 orë përballë hetuesve të çështjes. Ndërsa kur doli, tha ndër të tjera se “patëm një shterim total, të çështjes së inceneratorëve”, dhe se besonte se gjithçka ishte sqaruar. I vënë në qendër të akuzave, kryesisht nga opozita, zoti Veliaj ka mohuar të jetë i përfshirë në rastin e inceneratorit të Tiranës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i qytetit”. Ndaj zotit Veliaj janë lëshuar akuza dhe nga ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i cili ka thanë se disa prej veprimeve të kryebashkiakut “janë ato të një pronari faktik” të inceneratorit. Zoti Ahmetaj u përfshi në hetimet për rastin e inceneratorëve, pas dyshimeve për lidhje të tij me dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto të cilët konsiderohen nga prokuroria si pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier. Ish zëvendëskryeministri ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për përfshirjen e tij në procedurat e inceneratorëve, duke deklaruar se nuk ka firmosur asnjë dokument për to, e se madje ai kishte kundërshtuar që në rastin e Tiranës, projekti të financohej nga buxheti i shtetit. Ai ndodhet jashtë vendit në Zvicër, që kur verën e kaluar, parlamentit iu kërkua autorizimi për arrestimin e tij e më pas lëshua dhe një urdhër arresti për disa vepra penale që nga “shpërdorimi i detyrës” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave”. Mbi të rëndojnë dyshime për përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e kontratave koncensionare për inceneratorët.