Janë zbardhur të tjera biseda nga dosja hetimore mes drejtorëve të arrestuar në Bashkinë e Tiranës.
Sipas SPAK-ut, nga kontrollet që janë bërë në zyrën e Nestor Muhametllarit, në kompjuterin e këtij të fundit është gjetur një foto e komunikimit të Taulant Tushës nëpërmjet “Whats App” me një tjetër person.
Sipas përmbajtjes së këtij komunikimi, Taulant Tusha i ka dërguar një personi tjetër një “folder” me emërtimin “Mangesitë.doc” dhe në komunikim përmendet emri “Hasan Vogli”, më tej midis tyre zhvillohet biseda si më poshtë:
Biseda:
Bashkëbiseduesi: Kush e solli këtë?
Taulant Tusha: Dr. ime.
Bashkëbiseduesi: T’i plotësoj me urgjencë, po ia çoj.
Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen. Thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.
Bashkëbiseduesi: I kam thënë unë shpejt… ok.
Tualant Tusha: Se Ilda qenka.
Bashkëbiseduesi: Direkt.
Nga hetimet e SPAK-ut rezultoi se kjo bisedë është bërë për projektin e rindërtimit të shkollës “Hasan Vogli”, ku procedura e tenderit është zhvilluar në gusht të 2020. Personat e përmendur në bisedë janë Nestor Muhametllari, administratori i kompanisë “5D”, si dhe shtetaset Anjeza Çallpati dhe Ilda Qazimllari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.
“Ky komunikim krijon dyshime se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni në lidhje me pronarët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. dhe njëherësh ka dijeni për faktin se shtetasi Nestor Muhametllari është vetëm i punësuar në këtë shoqëri dhe interesohet qe ky i fundit të komunikojë me punonjës të drejtorisë së tij, me qëllim ndreqjen e mangësive në projektin me objekt “Ndërtim i shkollës Hasan Vogli”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.