Sherri brenda Rithemelimit është thelluar më shumë. Besnikët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë dal kundër tij, ndërsa kanë pranuar kapitullimin e Sali Berishës dhe ja kanë bërë të qartë se me amerikanët nuk luhet. Ishte kryezëdhënësi mediatik i Sali Berishës, Alfred Lela, ai që e ka pranuar se për ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk ka më të ardhme me amerikanët. Por ai barazon me Berishën edhe Ramën me Bashën, që sipas tij, nuk kanë më mbështetje amerikane. Sipas kryezëdhënësit Lela, amerikanët tashmë po shohin nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, duke përjashtuar këtu edhe Gazment Bardhin, aleatin e Berishës. “Tashmë amerikanët në Tiranë kanë tre non grata. Berishën që e shpallën vetë. Ramën që u vetëshpall pas përfshirjes në aferën McGonigal. Bashën, që u rezultoi politikisht imbecil, kur nuk mundi që ‘dhuratën amerikane’ të dizajnimit të Berishës ta kthente në aksion politik. Në këto kushte, amerikanët janë duke kërkuar partner politikë në Shqipëri. A do të mund ta gjejnë te Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani”, deklaroi ai në një intervistë televizive.
Korreshi kundër Berishës për kryeministër: Duhet një emër i ri
Ndërkohë, edhe deputeti i Rithemelimiy, Saimir Korreshi ka dal kundër emrit të Sali Berishës si propozim për kryeministër të vendit. Dje, në një intervistë televizive, ai tha se duhet një emër i ri që të jetë në krye të qeverisë. Deputeti demokrat thotë se një emër i ri nga radhët e demokratëve do të maksimalizonte votat që shkojnë në drejtim të saj. “A mund të jetë? Duke njohur se si funksionon në 33 vjet, dëshirat vazhdon t’i ketë. A do të ishte zgjidhja optimale? Mendoj që duhet të kemi një zgjedhje tjetër për të maksimalizuar votën e opozitës. Ky ka qenë mendimi im dhe nuk mundet të ndryshoj mendim rrugës. Që të maksimalizosh votën, pavarësisht të gjitha të mirave që mund të gjesh te Berisha, mendoj që ka ardhur koha që njerëzit duan diçka të re. Duhet alternativë e re që të shkundësh pjesën gri. Që të shkundësh dhe të pakënaqurit e PS duhet tu japësh një opsion të ri, një drejtim inovativ të ri”, deklaroi ai. I pyetur nëse mund të bëhen njëherë zgjedhje pa Berishën, ai tha po. Sipas tij, Basha dhe Berisha nuk janë më alternativë e re. Ai theksoi se shumë zgjedhje janë fituar në bashki me fjalët “është djalë i mirë”. “Absolutisht po. Për mua Basha dhe Berisha nuk janë më alternativë. Janë të nevojshëm, a kanë mbështetës? Patjetër, por besoj që sot duhet një alternativë e re. Shumë zgjedhje janë fituar në bashki me fjalët “është djalë i mirë”, pavarësisht se nuk e dinë çfarë do të bënin. Për Berishën dhe Bashën ngel ajo shija e vjetër. Duhet diçka e re. E reja është edhe më kollaj për t’u zëvendësuar. Sot politika e vjetër është e vështirë edhe për t’u zëvendësuar, kanë vendosur lidhje. Këtu në 33 vite nuk është se ikën njeri nga skena politike”, nënvizoi Korreshi.
Sula kundër protestave poshtë banesës së Berishës
Nga ana tjetër, deputeti Dashnor Sula duke folur për situatën e krijuar brenda opozitës, deklaroi se as Berisha dhe as Basha nuk janë zgjidhja për PD-në. Në një intervistë për mediat pak ditë më parë, Sula u pyet nëse do të merrte pjesë në protestat që po bëjnë militantët e Sali Berishës poshtë banesës së tij ku po mbahet në “arrest shtëpie”, teksa e mohoi kategorikisht diçka të tillë dhe i cilësoi protestat si diçka që nuk sjell asnjë zgjidhje. “Unë mendoj se çdo lloj forme e protestës së opozitës ka vlerë. Por nuk jam dakord dhe nuk mendoj se është zgjidhje të shkohet poshtë rrugës ku është Berisha i cili ka atë masë sigurimi, për të cilën ne jemi shprehur se ishte në shkelje të procedurës. Por shtoj pyetjen, më mirë ishte me atë masë sigurie që mund të shkonte një herë në 2 javë tek SPAK-u e të bëjmë atë opozitë që duhej, apo kjo që ka sot? Mua më ndajnë shumë gjëra me Berishën, në raport sesi u bë opozigta gjatë këtyre 2 viteve. Në çdo vend normal drejtuesi i opozitës që humbet zgjedhje, jep dorëheqjen. Ndërsa këtu ka 2 vite që opozita po hahet mes vetes dhe Edi Rama qëndron në pushtet pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë”, deklaroi ai. Ndërkohë Sula pati edhe një kritikë për kreun e Rithemelimit, duke thënë se Berisha duhet t’u bëjë thirrje personave që mblidhen poshtë banesës së tij që të protestojnë nëpër fshatrat dhe qytetet ku jetojnë për situatën e vendit. “Unë e kritikoj Berishën, duhet t’u dalë atje tu thotë ikni. Dilni në fshat e qytet 24 orë, jo të rrinë aty poshtë banesës së tij”, nënvizoi Sula.