Në takimin e mbajtur me banorët e njësisë Nr.1 në kryeqytet, kreu i FRD, Bamir Topi, ka deklaruar se në 20 vite Tiranën e kanë përdorur partitë politike ashtu si ju ka leverdisur atyre. “Ka qenë faji i partive politike gjatë tranzicionit që e kanë përdorur Tiranën dhe komunitetin e saj, si ju ka leverdisur. Madje duke iu referuar edhe zgjedhjeve lokale, ju e keni parë se si pushtetet politikë jo pak herë e kanë futur Këshillin Bashkiak të Tiranës në krizë, që është refleks i konfliktualitetit mes dy partive të vjetra.
Tranzicioni iu atribuohet pikërisht këtyre partive. Zgjedhjet na prezantojnë një situatë problematike me politikën e partive të vjetra, FRD që është një parti relativisht e re, vërtetë i ka trajtuar dy partitë e vjetra në mënyrë ekuivalente, sot do filloj ta diferencoj njërën.
Vërtetë kanë faje që po i vuan shoqëria, por duke iu referuar realitetit, problemet kryesore lidhen me ata që po mbyllin një cikël 8 vjeçar në pushtet. Lidhet dhe personalizohet me emrin e kryeministrit, i cili ka marrë rrugët e Shqipërisë duke dhënë premtimet e radhës, që janë tentativë për të bërë demagogjinë e radhës”, tha Topi.
“Parulla jonë kryesore është t’i japim fund tranzicionit. Ne jemi në garë për pushtet politik, por ndryshe nga ata që e kanë dhe tentojnë ta marrin”, tha ai më tej.
“Populli i Tiranës duhet të ndëshkojë me votë Qeverinë e paaftë politikisht dhe të korruptuar, mashtruese, kryeministrin mashtrues që vazhdon të bëjë gënjeshtrën e radhës”.