UET, universiteti i Henri (Naim) Çilit, vazhdon të thellojë skandalet. Një investigim i thjeshtë dhe një raport kontrolli i Ministrisë së Arsimit, nxorën në pah shkelje ligjore, manipulime të opinionit publik, doktoratura për të huaj pa leje qëndrimi etj. Për çudi këto shkelje u minimizuan nga qeveria vetëm me disa vërejtje dhe kaq. Fjala megakioskë, këtij universiteti i shkon bukur për shtat pas deklarimit të kryeministrit Rama, se po mbylleshin kioskat e arsimit të lartë.
Po vetë UET çfarë ishte? Sipas kontrollit të ministrisë, edhe vetë UET e meriton epitetin e kryeministrit, madje edhe më tepër. Kjo për disa fakte që na sjell vetë raporti: Raportet student – pedagog; nga 1 me 20 që e kërkon ligji është 1 me 50; sipërfaqja për student, programet e reklamuara publikisht, janë pika e ujit në oqeanin e mashtrimit dhe paligjshmërisë, ku lundron UET, pasi shkeljet vazhdojnë me mungesën e regjistrave e matrikulave etj. Nuk mund të lihen mënjanë edhe 800 doktoraturat që ky “universitet", apo diplomimi i një shtetasi turk, pa leje qëndrimi dhe certifikatë gjuhe… dhe shumë shkelje të cilat vetë ministria i shkruan, por nuk merr asnjë masë për këtë institucion. Politikë serviliste apo institucione të kapura nga UET? Kjo bëhet e qartë hap pas hapi kur investigoni. Slogani “jemi kudo” i UET vlen shumë; atë e gjen në Bashkinë e Tiranës, në qeveri, në PS, në PD etj. Rrëmujë dhe interesa klienteliste pafund.
UET i zhytur në borxhe
Këto në fakt janë thënë shumë herë, por sot po sjellim një fakt tjetër të marrë së fundi, nga zyra e Tatimeve në Tiranës. Dokumenti që po paraqesim, na tregon sesi Universiteti Evropian i Tiranës, ka krijuar një borxh prej 1.2 milion dollarë në këtë institucion, vetëm gjatë muajve të fundit të 2013 dhe në vazhdim. Dokumenti është ndjerë nga sistemi i tatimeve dhe UET me NIPT-in përkatës. Siç shihet dhe në foto, universiteti i Çilit ka një borxh të stërmadh, të cilin tatimet nuk e mbledhin. Tolerim apo klientelizëm edhe nga ky institucion, për UET?! Duhet të presim reagimin e institucionit të taksave për Tiranën pas këtij publikimi, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Nuk është hera e parë për Çilin që të jetë superborxhli, pasi ai përflitet për rreth 15 milionë euro të tjera të mara nga një bankë private, pa harruar qiratë dhjetëra mijë euro për godinat, por edhe të tjera investime për zgjerimin e UET. Investime që nuk të kujtojnë një universitet, kur shikon që më e madhe është kafeneja sesa biblioteka.
Pse nuk i paguan Çili borxhet?
Sot tatimet kërkojnë të rrisin të ardhurat, sulmojnë kioska, biznese të vogla, gjoba milionëshe për dikë që nuk ka deklaruar një sasi të papërfillshme malli, ndërsa UET lejohet të akumulojë një borxh qindra mijë euro apo mbi një milion dollarë. Duke parë faktin e 1.2 milion dollarëve askush nuk mund të habitet kur Çili të deklarojë me zë e me shkrim: Rama kryeministër i suksesshëm, doganat të suksesshme, tatimet shumë të suksesshme etj., si këto.
Si doktorohen shtetasit turq
Në raportin e ministrisë, vjen një rast flagrant, ku një shtetas turk ka mungesë dokumentacioni, për më tepër certifikatën e Gjuhës Shqipe. Për shtetasin e huaj Nazim Ahmet Turan Cinni, i regjistruar në studimet e doktoratës për vitin 2013-2014, mungon kopje e lejes së qëndrimit, vërtetimi i punës dhe vërtetimi i Gjuhës Shqipe. Këtu ngrihet pikëpyetja e një diplome të mundshëm fallco. Si mund të studiosh tek Çili pa leje e dokumente ligjore, ketë duhet ta sqarojë Ministria e Arsimit. Në raport lexojmë një fakt që të bën të dyshosh për regjistrime e ç’regjistrime sipas qejfit, që të çon tek dyshimi janë shitur apo jo? Studenti që nuk plotëson dokumentacionin, regjistrohet me kusht. Nëse nuk i plotëson brenda semestrit të parë, çregjistrohet dhe për këtë mbahet procesverbal. Sipas listave të vëna në dispozicion, rezultojnë 43 studentë që kanë pezulluar studimet e doktoraturës.
Manipulohen regjistrat
Raporti na jep të tjera fakte me të cilat ministria jo duhet të mbyllte UET, por prokuroria dhe policia duhet të prangosnin drejtuesit e institucionit. Regjistrat për të regjistruarit e vitit akademik 2013-2014 nuk gjendeshin në format Hard –Copy, pasi nuk ishin hedhur akoma të dhënat në regjistrat përkatëse. Gjithashtu, të gjithë studentët e regjistruar, nga viti 2011 e deri në 2014 nuk ishin të pajisur me Nr. Matrikullimi. Pse Naim University nuk i ka hedhur ende studentët e vitit të shkuar? A mund të ngrihet akuzë këtu për faktin se ai mund të shtojë student edhe pse s’kanë qenë fare vitin e parë? Në dokumentin exel shtohen e hiqen sa emra të duash, regjistrat nuk ekzistojnë vetëm kur t’i kërkon të shesësh diploma apo të falësh vite studimi, në të kundërt nuk ka arsye tjetër përse ky proces nuk kryhet. Pa lënë mënjanë këtu skandalin e matrikulimit për gati 3 vite që do të thotë se në UET është bërë qejf me diplomat, pa regjistra e pa matrikulime mund të shtosh e ndryshosh çfarë të duash.
Skandali me doktoraturat
Sipas raportit të kontrollit UET, nuk ka problematika vetëm ato që janë denoncuar publikisht këto ditë, por skandali shkon edhe tek doktoraturat. Ja çfarë thotë raporti i Ministrisë së Arsimit. Verifikimi i katologjeve dhe broshurave, si dhe reklamimeve të ekspozuara nga IAL. Përditësimi i faqes ËEB. (rubrike raport monitorimi) “Ka mospërputhje me drejtimet e doktoraturës, deklarohen 15 drejtime ndërsa sipas VKM 503, DATË 07.10.2011 rezultojnë 12 profile në 3 Programe studimi”. Ashtu si tek të gjitha nivelet e studimit në UET edhe tek doktoraturat ka një reklamë abuzive nga Çili dhe stafi i këtij universiteti. Sipas raportit që edhe pse përpiqet të jetë miqësor me Çilin, shihet hapur se edhe tek doktoraturat, UET nuk i ka rezistuar tundimit për të reklamuar në treg drejtime, të cilat nuk i ka pasur ligjore.
Skandalet në UET
Këtu kemi të bëjmë me një tjetër rast skandaloz dhe abuzivist nga ana e Çilit dhe UET. Një individ pa doktoraturë, pra, pa titullin e duhur shkencor, drejton një qendër shkencore. Është njësoj si të vendosësh një fëmijë në klasën e 8-të të drejtojë një gjimnaz. Dhe ajo më flagrantja është tek fakti se ky individ, por edhe të tjerë persona, sipas deklarimeve të tij, japin leksione part- time në UET. Dhe vetë personi në fjalë, edhe pse jo doktorant udhëhiqte 2 studentë dhe këshillonte 6 të tillë. Vetëm në UET mund të ndodhin skandale të tilla, ku doktoraturën ta udhëheq dikush që nuk është me gradën Doktor Shkenc
ash. Kjo që renditëm më lart nuk është gjithçka, kjo është pjesë e një skandali që e gjen po të lexosh raportin e kontrollit që reflekton shumë shkelje, por i anashkalon ato. Më tej thuhet që në vitin 2011 është hapur në UET shkolla e Doktoraturës, dhe shkeljet në këtë shkollë janë pa fund dhe me gjithë faktet, nuk është dhënë asnjë rekomandim për masa apo përmirësim për stafin drejtues, jo më për të menduar që mund të mbyllej pas këtyre shkeljeve të mëposhtme. Elvi Fundo