Skenari i kryeministrit Edi Rama për të rehabilituar Sali Berishën e vendosur në “arrest-shtëpie” dhe të shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britani e Madhe ka kaluar në një stad tjetër. Edhe pse bëjnë sikur zihen dhe janë armiq të përbetuar, Rama është njeriu më i interesuar që Berisha të mos dalë në pension, por të vazhdojë sa të ketë frymë të jetë në politikë, pse jo edhe kryetar opozite. Madje Rama po tregon se është avokati më i fortë i ish-kryeministrit Sali Berisha sot për sot. Nëse amerikanët dhe britanikët e përzunë Berishën nga dera dhe me “shkelma” nga politika, kryeministri Rama po tenton të përdorë kryeparlamentaren Lindita Nikolla që ta fusë plakun “non-grata” në sistem (politikë dhe Kuvend) nga dritarja nëpërmjet “karremit” Gazment Bardhi. Pra duket qartë se çifti Berisha dhe Rama po bëjnë përpjekjen e radhës kundër SHBA dhe SPAK, pasi po tentohet rehabilitimi i kreut të Rithemelimit dhe çetës së tij në Parlament. Konkretisht zoti Bardhi ka kërkuar ndryshimin e përbërjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Përmes një shkrese dërguar kryetares së Kuvendit, Gazment Bardhi ka kërkuar që deputetët e përjashtuar nga Basha të rikthehen si anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Në kërkesë, thuhet se çdo deputet i vetëdeklaruar në nisje të kësaj legjislature në përbërje të Grupit Parlamentar, të konsiderohet anëtar i këtij grupi të Partisë Demokratik, ku përfshihet edhe Sali Berisha. “Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj se në mbledhjen e Grupit të datës 03 Prill 2024, në përputhje me neneve 15 dhe 16 të Rregullores së Kuvendit, si dhe Rregullores sẽ Brendshme të Grupit Parlamentar, është vendosur “Revokimi i te gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj Legjislature”. Për këtë arsye, të gjithë deputetët që janë vetëdeklaruar në nisje të kësaj Legjislature në përbërje të Grupit Parlamentar, rikthehen/konsiderohen si anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 3 Prill 2024. Në këtë kushte, në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit, lutem të pasqyrohet ky ndryshim i përbërjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në organet e Kuvendit”, shkruhet në letrën e Bardhit. Deputetët e përjashtuar nga Basha që rikthehen janë: Sali Berisha, Greta Bardeli, Ina Zhupa, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Edi Paloka, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Ludovik Hasanaj, Sorina Koti dhe Tomorr Alizoti. Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha u përjashtua nga grupi i partisë që themeloi 30 vite më parë, më shtator të vitit 2021. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha njoftoi asokohe përjashtimin e Berishës nga grupi i Partisë Demokratike, pasi SHBA e shpalli “non-grata”.
Reagon Basha
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar dje pas njoftimit të Gazment Bardhit që ktheu deputetët e përjashtuar në Grupin Parlamentar, mes tyre dhe Sali Berishën.
Basha shkruan se pazari mes Ramës dhe Berishës po zbardhet çdo ditë. Ai thotë se jo vetëm bënë aleancë kundër SPAK për të liruar të korruptuarit, por tashmë po kërkon të kthejë në PD Berishën. “Pazari mes dyshes Rama-Berisha po zbardhet çdo ditë dhe më shumë. Janë të qartë në: Aleancën e tyre kundër SPAK, Lirimin e të dënuarve për korrupsion, Ruajtjen e marrëveshjes famëkeqe të vitit 2008. Si pjesë e këtij pazari, Rama kërkon të kthejë në PD aleatin e tij Berisha. Kjo është rruga e vetme e mbijetesës së klasës së vjetër politike, nëpërmjet pazarit për të shtrënguar radhët e të korruptuarve. Vendimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë është i qartë dhe i prerë. Asnjë ortakëri e lidhur nga krimi dhe korrupsioni nuk mund ta zhbëjë atë. Asnjë person i përcaktuar ‘Non-grata’ nuk do të jetë pjesë e PD. PD mbështet pa kushte SPAK dhe vënien para ligjit të gjithë atyre që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve. Lista të hapura, votim për diasporën, barazi vote dhe votim e numërim elektronik”, shkroi dje Basha.
Rikthimi i Berishës, Alibeaj: Ky është pazari i radhës Bardhi-PS
Por rikthimi i Sali Berishës në grupin parlamentar demokrat, 3 vite pas përjashtimit, kur u shpall “non-grata” nga SHBA, për Enkelejd Alibeajn është ngjarja më e hidhur e pazarit dhe e marrëveshjes që bëhet pas dyerve të mbyllura të parlamentit. Në një deklaratë për mediat, ai tha se ai tha se sot Nikolla përfshiu deputetë në grup me një kërkesë të palegjitimuar nga PD. “Sot Nikolla me qetësi olimpike përfshin me një kërkesë të palegjitimuar nga PD, përfshin përsëri deputetë në grupin PD. Nuk kam hall me qëndrimin individual të deputetëve të PD, por qëndrimi zyrtar është qëndrim zyrtar dhe vlerë politike e jona. Ndaj kemi marrë këto akte që i quani përjashtime. Kanë qenë distancim nga simptomat e praktikat korruptive se një parti duhet të dalë përballë publikut dhe të tregojë a është e aftë që të distancohet për të qenë e besueshme ndaj publikut. Sot Lindita Nikolla merr e kuron qëndrime politike të PD”, tha Alibeaj. Sipas tij kjo ndodh për shkak të pazareve dhe i kujton Nikollës që asnjë i korruptuar dhe i dizenjuar non grata nuk do të jetë pjesë e PD-së. “Mendo ku ka shkuar grotesku! Javën e kaluar Ulsi Manja, sot Nikolla. Kjo tregon në dritë të diellit se pazaret e natës ja ku të çojnë, të çojnë në atë që të gjithë janë në një kazan të vorbullës së vjetër 30 vjeçare. Qëndrimi i PD ka qenë parimor asnjë i korruptuar dhe i dizenjuar non grata nuk është e nuk do të jetë pjesë e PD. Mund të jetë pjesë e grupimeve që mban Nikolla. Po ajo duhet ta kuptojë që ajo që ka bërë PD është betejë e gjithë shqiptarëve. Kjo është ngjarja më e hidhur e radhës, e pazarit dhe e marrëveshjes që bëhet pas dyerve të mbyllura të këtij parlamenti për t’u shkëputur nga sindromat e korrupsionit. Ka qenë një betejë jo pa dhimbje e vështirë dhe të gjithë ata që kanë qëndruar te këto vlera; kundërshtimi i korrupsionit”, nënvizoi dje sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.