Policia e Shtetit, duke shpallur versionin e saj për ngjarjen, ka deklaruar se Skënder Tufa dhe Petrit Lipo, po përgatisnin bomba për t’i hedhur në mitingjet e Sali Berishës. Policia ka deklaruar se bombat po përgatiteshin për t’i hedhur në grumbullime me njerëz dhe sheshe publike. “Këto shtetas u arrestuan në kushtet e flagrancës në momentet e posedimit të bombave molotov të përgatitura në mënyrë artizanale, të cilat më pas dyshohet se do t’i përdornin për t’i hedhur në grumbullime me njerëz dhe sheshe publike”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia deklaron gjithashtu se ka arritur të parandalojë ngjarjen. “Parandalohet në kryeqytet një ngjarje, arrestohet në kushtet e flagrancës Skënder Tufa dhe Petrit Lipo. Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, në sajë të marrjes në kohë të një informacioni në lidhje me hedhjen e disa shisheve me lëndë plasëse të dyshuara bomba molotov të përgatitura në mënyrë artizanale, bënë të mundur kapjen në kushtet e flagrancës të autorëve të tyre, duke neutralizuar dhe sekuestruar në kohë lëndët plasëse. Krahas sa më lartë u mor masa e arrestit të menjëhershëm në kushtet e flagrancës së shtetasve: Skënder Tufa, vjeç 53, banues në Tiranë dhe Petrit Lipo, vjeç 52, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy shishe me lëndë djegëse, të dyshuara si ato të përgatitura për bomba molotov, të cilat ju kaluan për ekzaminime të mëtejshme strukturave përkatëse”, ka deklaruar policia. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka deklaruar gjithashtu se çështja do të referohet në Prokurori. “Materialet hetimore të përpiluara nga ngarkim të tyre do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.