Pas akuzave të bëra publike dita ditës nga kryesocialisti Edi Rama, në drejtim të palës kundërshtare, selia blu vijon maratonën e gjatë të kundërpërgjigjeve të rrufeshme. Me anë të një deklarate për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, iu drejtua Ramës se është i çoroditur.
“Edi Rama kudo që shkon, me platformën e tij “akuzo-shpif dhe moho”, çdo gjë të mirë, me qëllim që të mbjellë sa me shumë dëshpërim, mërzi dhe pesimizëm tek njerëzit. Nëse do të besonim Edi Ramën, tek ne këto katër vite nuk ka ndodhur asgjë e mirë, lëvizja pa viza apo 4 miliardë dollarë investime të huaja, mijëra e mijëra kilometra rrugë dhe qindra shkolla të ndërtuara, nuk kanë ndodhur…dhe sipas fiksacioneve të tij, ne jetojmë në mesjetë, të izoluar nga bota, me rrugë të mbushura me banditë të armatosur dhe me shqiptarët në kërkim të tre fetave bukë”, tha ajo.
“Qytetarët e dinë të vërtetën, sepse ata i shohin dhe i prekin arritjet çdo ditë. Ata ecin në rrugë të reja, shkojnë në shkolla të reja të pajisura me kompjuterë dhe internet, vizitohen në qendra shëndetësore më cilësore, shohin që rrogat e tyre janë rritur dhe blejnë më shumë, udhëtojnë të lirë në Europë dhe janë krenarë për vendin e tyre”
“Sali Berisha dhe Partia Demokratike ofrojnë një alternativë më të mirë. Një alternativë që në bashkëpunim me qytetarët, punon për të shtruar rrugë, ndërtuar shkolla, rritur furnizimin me ujë të pijshëm dhe krijon vende pune. Një alternativë e cila vendos qytetarin të parin. Ne jemi krenarë se sa shumë ka ecur Shqipëria. Ne jemi optimistë për të ardhmen tonë. Dhe ne e dimë se së bashku, nuk ka asgjë që ne nuk mund të arrijmë”, shtoi ajo.