Pas publikimit të rezultateve të testit ‘PISA’ për intelektin dhe rezultatet e nxënësvë në shkollat 9-vjeçare, të shumtë ishin figurat publike që reaguan. Një ndër to ishte dhe deputetja demokrate Jorida Tabaku ku përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ajo thekson se arsimi po konceptohet si llaç e tulla e më pas kthehet në tender.
Gjithashtu Tabaku shton se Shqipërisë nuk i mungojnë talentet por i mungon qeveria që nuk korrupton dhe vjedh të ardhmen e shoqërisë duke nënfinancuar buxhetin e shtetit.
Reagimi i plotë i Tabakut:
Kur arsimi konceptohet si llaç e tulla e kthehet në tender!
Rezultatet e #PISA2022 ishin shqetësuese dhe treguan jo vetëm impaktin që ka pasur “reforma” socialiste e viteve të fundit por dhe të ardhmen që do të ketë arsimi.
Testi PISA 2022 është vula e një raporti dhe studimi serioz që na tregoi rënie drastike në të nxënë në matematikë, lexim dhe shkencë. Rënien më të madhe ndonjëherë në këto fusha ku shkëlqente rënia në matematikë me 69 vende. E çuditshme për një vend që pretendon se do të digjitalizohet ndërsa nxënësit e tij janë të fundit në rajon.
Kur kërkojmë me ngulm për investime në arsim, kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin cilësor, për arsimin që lidhet me tregun e punës, për arsimin në teknologjinë e informacionit.
Shqipërisë nuk i mungojnë talentet por i mungon qeveria që nuk korrupton dhe vjedh të ardhmen e shoqërisë duke nënfinancuar buxhetin e shtetit. Me buxhetim që shkon sa 2.3% e PBB dhe me sistem që nuk promovon meritokracinë nuk mund të ndërtosh një brez që kupton më mirë mësimin. Aq më tepër kur një vit më parë qeveria morri vendimin për të ulur mesataren e pranimit në degën e mësuesisë.
Veprim vrastar për brezin e ardhshëm dhe që do të ndikojë edhe më për keq në sistemin arsimor ku prodhohen më shumë diploma se sa ka njerëz që kuptojnë shqipen, matematikën dhe jo më t’ua mësojnë të tjerëve.
Emergjenca e arsimit është këmbana e radhës e një kënete politike dhe ekonomike që po vret shpresën duke i larguar shqiptarët që mund ta ndryshojnë këtë vend për mirë dhe një herë e mirë. Zgjidhja nuk është trajtimi i arsimit për llaç e tulla, por angazhimi në një betejë për të rikthyer shpresën në një vend m potencial të jahtëzakonshëm që mund të prodhojë mendje të ndritura nëse kujdesemi siç duhet. E kjo është emergjenca e sotme!