Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Por ky vendim nuk ka qenë aspak qëndrim politik, por thjeshtë një procedurë parlamentare, e cila shumë shpejt pritet të rikthehet në komisionin e Jashtëm të Senatit, e do të miratohet. Nuk ka pasur asnjë argument apo kontestim nga republikanët apo demokratët në Senatin e SHBA. Siç thuhet në njoftim, kandidatura i është kthyer shefit të Shtëpisë së Bardhë, sipas një procedure që parashikon që kandidatura të riparaqitet nga Presidenti Biden, për shkak të tejkalimeve të afateve kohore. Në Janar këto procedura janë rutinë dhe automatike, nëse kandidati nuk kalon përgjatë vitit në votim të hapur. Duke qenë se kandidatura e tij nuk u miratua nga Senati, procedura parashikon se presidenti i SHBA Biden mund të çojë sërish të njëjtin emër, atë të diplomatit Kostelancik ose emër tjetër për të marrë miratimin e senatit si ambasador amerikan në Tiranë. Edhe burime nga ambasada Amerikane në Tiranë, thanë se bëhet fjalë për një akt procedural që parashikon riparaqitjen e propozimit nëse nuk është miratuar ose refuzuar nga senati deri para pushimeve.
Mesazhi i Kostelancik pas propozimit të Biden
“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi ai. Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qendrueshem. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim. Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ambasadori i pritshëm, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri.
Kush është Kostelanick?
Kostelanick është një diplomat karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grada Këshilltar Ministër. Zoti Kostelanick filloi shërbimin e tij si këshilltar për politikën e jashtme të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, në gusht 2021. Z. Kostelancik më parë shërbeu si Zëvendës Shef i Misionit, dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë, në Ambasadën e SHBA-së në Budapest në Hungari, ku ofroi udhëheqje dhe udhëzime politike për stafin e misionit prej më shumë se 350 personash. Detyrat e tjera në Departamentin e Shtetit përfshijnë si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jug-Qendore dhesi Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. Më herët në karrierën e tij, ai shërbeu dy herë në Ambasadën e SHBA në Moskë, duke përfshirë një detyrë si Asistent Special i Ambasadorit Thomas Pickering, me përgjegjësitë për shtrirje në të gjithë Rusinë dhe shkrimin e fjalimeve. Detyra të tjera jashtë shtetit përfshijnë Misionin e SHBA në OSBE dhe Misionin e SHBA në NATO, duke u fokusuar në të dy misionet në bashkëpunimin e sigurisë me Rusinë, Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Ankara, Turqi. Ai shërbeu gjithashtu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore. Z. Kostelancik mori një diplomë Bachelor nga Universiteti Northwestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, një diplomë Master nga Universiteti i Miçiganit në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore, si dhe një diplomë Master Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare. Ai flet shumë mirë shqip, rusisht, hungarisht dhe turqisht. Ai dhe gruaja e tij janë prindër të tre djemve të rritur.