Zbardhen të tjera detaje nga “puçi” që Gazment Bardhi i bëri Sali Berishës. Një ditë më parë gazeta “SOT”, zbuloi se të gjithë deputetët e përjashtuar nga Lulzim Basha janë kthyer në grupin e Partisë Demokratike, përveç Sali Berishës. Ndërkohë dje Kuvendi i Shqipërisë në një njoftim zyrtar ka shpjeguar se përse Berisha ka mbetur jashtë, duke theksuar se ai nuk ka qenë anëtar i grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës. Sipas njoftimit, me kërkesë të Bardhit në grup janë kthyer të gjithë deputetët që kanë qenë anëtarë të grupit të PD që prej nisjes së legjislaturës më 10 shtator. “Në datën 9 prill 2024 Kuvendi është njoftuar nga z. Gazment Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature.” Deputeti Sali Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, thuhet në njoftim. Ndërkaq kreu i grupit u pyet dy ditë më parë nga gazetarët për këtë zhvillim dhe ai devijoi, duke ngritur pikëpyetje nëse vërtet ka kërkuar afrimin e Berishës. Bardhi theksoi se njeh grupin parlamentar demokrat si të tërë, atë që u shpërfaq në mbledhjen e 5 shtatorit 2023, përfshirë në të edhe Sali Berishën. Mirëpo kjo njohje është vetëm në “mendjen” e Bardhit, pasi në dokumente nuk figuron si e tillë. Kreu i grupit demokrat duhet të kishte parasysh këtë para se të përpilonte kërkesën. Natyrshëm lind pyetja: “A mos është kjo një tentativë e Bardhit për ta lënë Berishën jashtë grupit të PD. “Unë do t’i qëndroj arsyes pse kam dalë të ju komunikimi i grupit parlamentar është i qartë, besoj se është një çështje e tejkaluar problematika brenda PD-së. Çdo tentativë për të zhvendosur vëmendje nga tema që janë në interes të qytetarëve për të rikthyer vëmendjen tek përçarja nuk do të marrë vëmendje tonë. Grupi i PD-së është bashkuar që në 5 shtator 2023”, deklaroi Bardhi për mediat.
Ja kërkesa e Bardhit drejtuara Nikollës
Ndërkohë kujtojmë se një javë më parë Gazment Bardhi kërkoi të revokohen përjashtimet e Lulzim Bashës, duke kthyer deputetët e PD në Grupin Parlamentar, mes tyre dhe Sali Berishën. Bardhi, i cili mban dhe postin e nënkryetarit të demokratëve të Rithemelimit i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla mbi ndryshimin e përbërjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. “”Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj se në mbledhjen e Grupit të datës 03 Prill 2024, në përputhje me neneve 15 dhe 16 të Rregullores së Kuvendit, si dhe Rregullores s? Brendshme të Grupit Parlamentar, është vendosur “Revokimi i te gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj Legjislature”. Për këtë arsye, të gjithë deputetët që janë vetëdeklaruar në nisje të kësaj Legjislature në përbërje të Grupit Parlamentar, rikthehen/konsiderohen si anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 3 Prill 2024. Në këtë kushte, në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit, lutem të pasqyrohet ky ndryshim i përbërjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në organet e Kuvendit”, shkruhet në letrën e Bardhit që përmban datën 9 prill 2024”, thuhet ndër të tjerë në letrën e Bardhit.
Reagimi i PD zyrtare
Ndërkaq i menjëhershëm ishte edhe reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka ironizuar vendimin e Lindita Nikollës për të pranuar kërkesën e Gazment Bardhi për të rikthyer në Grupin Parlamentar të gjithë ligjvënësit demokratë të përjashtuar nga Lulzim Basha. “Lindita Nikolla kuron qëndrimet politike të PD, mendoni ku ka shkuar grotesku”, u shpreh ai jashtë Kuvendit, teksa shtoi se është rezultat i “pazareve të natës”. Por Enkelejd Alibeaj theksoi se “asnjë i korruptuar dhe asnjë ‘non-grata’ nuk do të jetë pjesë e PD”, referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.