Gjykata e Lartë vendosi dje, datën 12 mars, për shqyrtimin e kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, i cili u vra në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja e ’21 janarit’ të kalojë në SPAK. Seanca gjyqësore do të zhvillohet me praninë e palëve në orën 13:00, pra të familjes Nikës dhe të përfaqësuesve të SPAK, ku edhe më pas do të caktohet nëse çështja do të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme. Kolegji vlerësoi të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Aleks Nika ishte një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën e 21 janarit 2011. Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.
Reagon Xhaxhai Aleks Nikës
Xhaxhai i Aleks Nikës shprehet i zhgënjyer nga ky vendim. “Për ne është i papritur si vendim. Akoma nuk e besojmë që gjykata e lartë të shprehet kështu. Ata kanë detyrim ligjor dhe kushtetues për shkak se gjykata e Strasburgut e ngarkon shtetin për ta hetuar çështjen për shkak se është krim shtetëror. Në vrasjen e protestuesve ne dyshojmë se implikohen funksionarë të kohës dhe këta duhet ta bënte SPAK. Ne do ta ndjekim deri në fund, kjo është rruga ligjore ne e konsiderojmë këtë vendim të gjykatës së lartë haptazi në kundërshtim të ligjit. Vendimi për 21 janarin është gur prove për drejtësinë e re. Ky vendim është është dështim sepse nuk ka nevojë për hetim gjyqësor , ata duhet të shpreheshin në dhomë këshillimi”, e mbylli reagimin e tij Mark Nika.
Ja dosja me provat “përvëluese” për Gjykatën e Lartë
Gazeta “SOT” ka zbardhur dosjen që do të marrë në duar SPAK, nëse Gjykata e Lartë vendos më 12 mars që çështja ti kalojë SPAK. Provat që janë paraqitur për drejtësinë nga avokati i familjarëve Nika janë: Berisha, me gojën e tij, me figurë, botërisht, ka pranuar gjithë skemën e organizimit të organizatës kriminale, të pozicionimit të secilëve prej anëtarëve të saj, të urdhrave që u dhanë. SPAK duhet ta rijetojë si çështje, pasi ka prova direkte dhe inderekte, duke filluar me alibitë e Berishës për të fshehur veprimet e organizatës kriminale se vrasjet u bënë gjoja nga vetë protestuesit, me zhdukjen e serverave të Kryeministrisë me urdhër të ish këtij Kryeministrin, me urdhrin që Sali Berisha i dha policisë së Shtetit për të mos ekzekutuar vendimet e arrestimit të gardistëve që ekzekutuan me armë zjarri 4 të vrarë dhe dhjetëra të plagosurit në 21 janar, me alibinë e tij se këto vrasje u bënë për shkak të një grushti shteti që organizoi kundër tij, si Kryeministër, ish-president i Republikës, ish-prokurorja e Përgjithshme dhe kreu i opozitës shqiptare etj.
Strasburgu
Gjithashtu para gjykatës përmendet, vendimi i fundit i Strasburgut për Aleks Nikën, i cili thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes! Në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet. Pra, sipas tyre Strasburgu i dha një goditje tronditëse Sali Berishës dhe çetës së tij që zbatuan urdhrat për vrasjet në 21 janar. Gjykata kujton momentin kur Berisha doli e fliste për çadra pistoletë e thika me helm. Po ashtu përmend presionet ndaj Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe Ina Rama. Ky vendim duhet që të vërë në lëvizje SPAK sipas familjarëve që të nisin hetimet e thelluara për të gjitha provat që përmend Strasburgu që nuk janë hetuar.
Prova e Ndrea Prendit
Provë e rëndësishme që vërteton se urdhëruesi i këtyre vrasjeve ishte pikërisht ish-Kryeministri Sali Berisha, është fakti se Komandanti i Gardës, pjesëtar i organizatës kriminale, pasi u thirr në zyrën e ish-kryeministrit për të marrë urdhrin e ekzekutimin të disa prej protestuesve dhe bëri me të një debat të ashpër, i cili degjeneroi në ushtrimin e një dhunë të rëndë fizike që ish-Kryeministri ushtroi mbi Komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ky i fundit veproi menjëherë me zinxhirin e anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale dhe me armët e zjarrit të Gardës së Republikës, bëri masakrën shtetërore, duke vrarë 4 qytetarë të këtij vendi dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Audio-përgjimi
Avokati i njohur Idajet Beqiri ka çuar në SPAK dhe audio-përgjimin ku më poshtë janë të zbardhura bisedat autentike mes kreut të Gardës në atë kohë dhe zëvendësit të gardës.
Komunikimi i parë:
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt.
KOMUNIKIMI I DYTË:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
KOMUNIKIMI I TRETË:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhri, Dashamir dëgjuat
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj): ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
Komunikimet (urdhrat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesve, ka janë qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj!
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio!
KOMUNIKIMI I KATËRT:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek)
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
KOMUNIKIMI I PESTË:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon?!
Artan Hoxha: Dëgjoj!
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3
Në këtë provë të rëndësishme, të cilën Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet ta marrë, t’a administroj dhe t/a anilozjë veçmas dhe në tërësi me provat e tjera, del qartë dhe pa ekuiviok se ka dyshime të arsyeshme, madtje tej çdo dyshimi, se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë kriminale të krijuar për të bërë vrasje politike, e cila parashikohet si vepër penale e rëndë në nenin 333 i Kodit Penal, sikurse këto 4 vrasje dhe numri i personave të plagosur janë kryer nga kjo organizatë kriminale, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.
Pse SPAK duhet të nisë hetimet?
Nga ana tjetër, avokati i familjarëve të viktimave të 21 janarit shtron argumentin se organizata kriminale e quajtur nga ai me në krye Sali Berishën duhet të hetohet nga SPAK “pasi me ndryshimet kushtetuese, të miratuara nëpërmjet ligjit nr.76/2016 për disa shtesa dhe ndryshime né ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, (të ndryshuar), ndër të tjera, në nenin 135 të saj, është parashikuar ngritja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, e cila gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit te Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputet, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, apo edhe akuzat ndaj ish-funksionarëve të mësipërm. Nisur sa sipër,kur kallëzimi penal është bërë kundër ish Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe deputetit të sotëm Sali Berisha, kundër ish ministrit të Brendshëm dhe deputetit të sotëm Lulëzim Basha etj, kur në kallëzimin penal evidentohen prova, fakte dhe dyshime të arsyeshme se jemi para një organizate kriminale, e cila ka kryer krime të rënda, disa vrasje të cilësuara dhe plagosje te shumta, siç parashikohet në nenet 333 dhe 334 të Kodit Penal, kompetencën lëndore për hetimin e kësaj çështje nuk e ka Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, por SPAK”, thuhet në dosje.