Për shkak të mungesës së tre prokurorëve të SPAK, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, seanca paraprake ndaj Fatmir Mediut për rihetimin e dosjes ‘Gërdeci”, është shtyrë në datën 23 mars.
Sot duhej të vendosej nëse çështja do të kalonte për gjykim, apo do t’i rikthehej sërish Prokurorisë së Posaçme për rihetim. Nga ana tjetër, në seancë ka munguar edhe vetë Mediu, i cili përfaqësohej nga avokatët e tij.
Të pranishëm në GJKKO, të shoqëruar nga avokati i tyre, ishin edhe Zamira dhe Feruzan Durda, të cilët humbën djalin e tyre 7 vjeçar në shpërthimin e Gërdecit në 15 mars 2008.
Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi çështja është parashkruar. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.
Janë dy vepra penale për të cilat akuzohet deputeti i Parlamentit Mediu, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimi i detyrës në kuadër të kodit ushtarak, për të cilën tashmë do të përballet në Gjykatë.