Zgjedhjet e pjesshme në Kukës që do të mbahen të dielën, krimet zgjedhore dhe drafti për rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë “ndezur” dje Kuvendin e Shqipërisë, duke shkaktuar debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës. Fillimisht “benzinë zjarrit” i ka hedhur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili teksa lajmëroi që qeveria është në diskutime me Emiratet e Bashkuara arabe për financimin e turizmit malor në Shishtavec, theksoi se qytetarët e Kukësit do votojnë PS se deputeti i “Foltores” Flamur Noka, sipas tij, vite më parë e ktheu në një bajrak privat. Madje ministri Manja i kujtoi opozitës se PD s’ka bërë asnjë investim në Kukës gjatë kohës që qeveriste. “Zgjedhjet e ditës së dielë janë të lira dhe demokratike. dëgjo me vëmendje flamur pse Kukësi duhet të na japë votën ne. Se të kanë provuar ty kaq shumë në Kukës sa kur ishe atje e ktheve në bajrak privat dhe e latë në mëshirë pa asnjë investim dhe filluar shpopullimin. Pse të na e japin ne? Se u ke ardhur t’i në majë të hundës mor Flamur. Investimet tona në Kukës nga dita që kemi ardhur në qeverisje, janë 10-fish më shumë se sa keni bërë ju. Shumë shpejt qeveria shqiptare ka paraqitur një master plan për zhvillimin e turizmit malor për Shishtavecin, që është në diskutim e sipër për t’u financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Do jetë në majën dhe elitën e turizmit malor në rajon. Saliu dhe ti, kush ju mund në beteja elektorale ju e quani kriminel elektoral”, deklaroi ai. Më tej Manja madje i kërkoi opozitës që të hënën mos të dalin me refrenin e tyre se zgjedhjet u blenë. “Ju keni çuar një kandidat që u premton kuksianëve që do ndalojë shpopullimin. Do rikthejë kuksianët nga Tirana. Kukësi ka ardhur koha të ketë një kryetar bashkie që e ka nda mendjen me jetuar e me banuar në Kukës. Albert Halili e ndje me zemër Kukësin. Është një prind model i Kukësit, e do Kukësin sepse e ka nda mendjen me jetuar në Kukës. Kandidati që keni çuar ju ka votuar për Pandin në Tiranë. Priteni të dielën me qetësi, uroj që të hënën mos të thonë na i vodhën votat në Kukës, se ju e keni refren këtë”, nënvizoi Manja.
Krimet elektorale
Nga ana tjetër Sali Berisha dhe Flamur Noka e akuzuan si kriminel elektoral që vjedhin votat në çdo palë zgjedhje. Ai është një kriminel i mirëfilltë elektoral. Ai është një kriminel i damkosur elektoral. Ngrihet këtu dhe bën propagandë elektorale njëlloj sikur të ishte Shukriu apo Safeti. Ai ka dosjen e vet”, deklaroi Berisha. Ndërkohë edhe Noka e akuzoi Manjën për krime elektorale. “Shtetarët dhe politikanët diferencohen, shtetarët mendojnë për brezat e ardhshëm. Pa më thuaj Ulsi keni menduar, ka ndonjë shtetar qeveria juaj, që keni menduar për ndonjë gjë. Për ta shpopulluar po. Po për brezat e ardhshëm këtu nuk ka asgjë, s’ka asnjë shenjë në horizont, vidhni një palë zgjedhje, vidhni 4 vjet, për të ardhur dita për të vjedhur prapë zgjedhjet. E nise me Shukriun ti Ulsi, ideator i skemës së vjedhjes së votave dhe ja ku jemi sot, ti dhe sulltani jot se njihni votën e lirë”, deklaroi Noka.
Pagat e anëtarëve të GJK
Ndërkohë edhe drafti për rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar sërish debat në Kuvend mes Gazment Bardhit dhe zv. kryetarit të grupit të PS, Toni Gogu. “Fakti që t’u rrit paga, do të thotë se të bleu Rama?”, deklaroi Gogu. Ndërkohë Bardhi u përgjigj si vijon. “Se kuptova pse kërceve në mënyrë të tillë. Së dyti vazhdove të gënjesh publikisht. Ma gjej në një vend ku kam propozuar rritjen e pagave. Ka qenë një pazar i pastër mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë me në krye Ramën. Nuk mund të ketë gjyqtarë që mund ta kenë pagën mbi prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. S’mund të ketë pazar vetëm për një segment të sistemit të drejtësisë”, deklaroi Bardhi. Në përfundim Kuvendi ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ishte deputetja Jorida Tabaku ajo që propozoi që të shtyhet ligjin për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Unë kam një thirrje për kolegët socialistë, të tërhiqe ligji për gjykatën kushtetuese sot, ti ushtrojmë procedurën parlamentare, ta diskutojmë si pjesë e diskutimeve të komisionit të reformës në drejtësi dhe të shikojmë mundësinë për një reformë tërësore në sistemin e pagave të gjyqësorit që do i jepte dinjitet Shqipërisë por që edhe nuk cenonte parimet me të cilat është rënë dakord kur është miratuar reforma në drejtësi. Shpresoj që kolegët ti shohin çështjet me parimin që është miratuar reforma në drejtësi. Kjo është pavarësia e pushteteve. Për këtë arsye unë shpresoj që të kemi mundësi të bëjmë një diskutim në komisionin e posaçëm që është ngritur në komisionin e ligjeve. Kjo do ti jepte mundësi edhe opozitës që të japin mendimet e tyre”, deklaroi Tabaku. Ndërkaq kërkesa u pranua nga mazhoranca. Jemi dakord që ta shtyjmë për një seancë tjetër, por më duhet ti them zonjës Tabaku që nuk është e mirinformuar dhe nuk ka faj se me gjithë lumin e akuzave që kolegët e saj i kanë bërë gjykatës më të nderuar në vend mund të keq informohesh në këto kohë dizinformacioni. Gjykata kushtetuese e ka dërguar në Kuvend projektin më 21 qershor, GJK kushtetuese ka ndjekur procedurën dhe ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi dakord që ta shtyjmë për një seancë tjetër. Ne jemi dakord që ta shtyjmë dhe uroj që të reflektojnë edhe kolegët për mos të hedhur më baltë mbi institucionet kushtetuese të këtij vendi që ruajnë kushtetutshmërinë e një organi”, deklaroi Gogu.