Pasditën e kësaj të mërkure Spitali Rajonal i Shkodrës është përfshirë nga flakët, ku sipas informacioneve, mësohet se zjarri ka rënë në depon farmaceutike që furnizon repartet e caktuara të spitalit.
Për ngjarjen ka reaguar menjëherë edhe opozita, ku shprehen se në harkun kohor brenda 5 muajve, ky është zjarri i dytë që ndodh në ambjentet e spitalit të Shkodrës.
Këshilltarja demokrate, Eliona Kodra Shkreli e ka cilësuar si një rast të paprecedentë, ku shton më tej se duhet një hetim direkt për të gjetur shkaqet dhe fajtorët.
Ajo shprehet ndër të tjera se sot spitali gjendet në keqmenaxhimin më të keq, në gjithë këto vite.
Reagimi nga Këshilltarja demokrate Bashkisë Shkodër:
“Është herë e dytë në harkun kohor brënda 5 muajve që ambientet e Spitalit Rajonal Shkodër përfshihen nga flakët e zjarrit. Herën e parë ndodhi në repartin e kirurgjisë ndërsa sot ishte rradha e dhomës së farmacisë së medikamenteve që furnizojnë të gjitha repartet.
Ky është një rast i pa precedent dhe i rëndë që kërkon hetim të menjëhershëm për të gjetur shkaqet dhe fajtorët. Nuk mund t’i lihet rastësisë apo pakujdesisë pasi nuk mund të ndodhë që ambjente të ndryshme të spitalit të marrin flakë brënda 5 muajve.
Ky është keq menaxhimi më i keq që i është bërë spitalit më të madh verior në gjithë këto vite. Skaneri nuk punon sipas qejfeve të drejtuesve të cilët shfrytëzojnë ‘defektet’ e shpeshta për përfitime personale me spitalet private, ndërsa tani digjet farmacia e spitalit, mjaftueshëm flakë zjarri sa për të djegur e shkrumbuar të gjitha medikamentet që disponon spitali i Shkodrës të cilat janë të pa mjaftueshëm përderisa pacientët detyrohen çdo ditë të blejnë ilaçe në farmacitë e pazareve personale që bëhen mes drejtuesve të spitalit dhe pronarëve të farmacive.
Ky zjarr duhet të hetohet deri në fund, të zbulohet nëse ka qënë i qëllimshëm dhe të vihen para drejtësisë autori apo autorët e interesuar për këtë dëm që i bëhet pacientëve dhe vetë spitalit.
Megjithatëshpresat për një hetim të mirëfilltë dhe të drejtë janë të pakta pasi dihet se ky pushtet nuk heton korrupsionin dhe krimin pasi i ka instaluar vetë dhe mbahet në këmbë vetëm nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin!”, ka mbyllur reagimin e saj Eliona Kodra Shkreli.