Brukseli nuk konfirmon arritjen e marrëveshjes për telekom mes Kosovës dhe Serbisë. Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiç, është shprehur se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.
“Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiç.
Një ditë më parë, delegacioni kosovar për dialogun teknik i kryesuar nga zëvendës kryeministrja Edita Tahiri ishte shprehur se pala kosovare është pajtuar me versionin e fundit të marrëveshjes, ndërsa pala serbe ka kohë deri sot. Marrëveshja është që pala kosovare të marrë kodin ndërkombëtar, +383, ndërsa për këtë të aplikojë një prej vendeve anëtare të BE-së.