Është mbajtur takimi i tretë i zyrtarëve të lartë në Bruksel për liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga ministrja e jashtme Vlora Çitaku dhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi si dhe koordinatorët teknik për liberalizimin e vizave nga ministritë relevante.
Çitaku dhe Rexhepi informuan zyrtarët e KE për progresin e arritur në të gjitha blloqet për liberalizimin e vizave. Me theks të veçantë iu prezantua zbatimi i rekomandimeve të deritanishme dhe planet për javët dhe muajt në vijim. Ministrja Çitaku prezantoi të arriturat në finalizimin e kornizës ligjore dhe strategjike që ndërlidhet me këtë proces si dhe arritjet kryesore që institucionet e Republikës së Kosovës kanë arritur së bashku me ata të EULEX.
Ndërsa, ministri Rexhepi informoi për arritjet konkrete, që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë deri më tani. Në fund të takimit u ra dakord për hapat e mëtejshëm, misionet vlerësuese për monitorimin e zbatimit të kritereve për liberalizimin e vizave.