Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare të organizatës, ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës, dhe jo pa arsye. Kryesisht ka patur polemika lidhur me ftesën për kryediplomatin rus, Sergei Lavrov, që megjithatë nuk u ndje fare i mirëpritur, as nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani që ka kryesuar samitin. Në fjalën e tij hapëse, Osmani kritikoi luftën e vazhdueshme të Rusisë. “Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë është një shpullë fytyrës ndaj të gjitha vlerave që kjo organizatë mban të shenjta. Lufta minon besimin, dialogun dhe kapacitetin tonë për t’i shërbyer sigurisë dhe bashkëpunimit”, tha Bujar Osmani. Njëzëri iu bashkuan Maqedonisë së Veriut edhe shtetet e tjera anëtare në samit për të dënuar luftën në Ukrainë. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Lavrov, që në fjalën e tij tha se OSBE është bërë shtojcë e NATO-s. Por kush është Bujar Osmani? Ai ka lindur më 11 shtator 1979 dhe ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Osmani ka titullin specialist-kirurg të cilin e ka marrë në Klinikën për Kirurgji digestive. Specializimin ai e ka përfunduar në Shkup dhe në Londër në qendrën për transplantimin e mëlçisë dhe kirurgjisë abdominale. Në politikë Osmani ka mbajtur disa role kyçe, siç ka qenë Ministër i Shëndetësisë për një mandat. Po ashtu ai është edhe zëdhënësi i Partisë BDI, e cila kryesohet nga Ali Ahmeti. Aktualisht Osmani është Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë me këtë post. Po ashtu Osmani është shqiptari i parë që ka arritur të kryesojë mbledhjen e samitit. Më parë ka tentuar dhe kryeministri Edi Rama që të marrë kryesimin e OSBE-së.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë