Disa ekstremistë fetarë nuk po lejojnë ndërtimin e bustit të Nënës Terezë në sheshin e komunës së Obiliqit, i cili mban edhe emrin e saj. Qytetarët aty thonë se kjo po ndodh për shkak të përkatësisë fetare që kishte kjo grua, ndërsa zyrtarët komunalë arsyetohen se ky projekt ka mbetur në gjysmë për shkak të mungesës së parave.
Vehabistët në komunën e Obiliqit nuk po lejojnë në asnjë mënyrë vendosjen e shtatores së Nënës Terezë, në qendër të kësaj komune. Që para 4 vitesh ishte menduar që pikërisht përballë bashkësisë islame të Kosovës të ndërtohej edhe shtatorja e madhe e Nënë Terezës, pikërisht për këtë arsye mori dhe emrin e saj si vend, por që atëherë bazamenti ku u vendos të vihej busti ka mbetur edhe sot bosh.
Sipas burimeve nga komuna e Obiliqit thonë se shtatorja nuk u vu kurrë për shkak të pengesave fetare. “Janë disa ekstremistë që nuk po duan që ta kenë shtatoren e saj aty për shkak të përkatësisë fetare që kishte Nëna Terezë”, janë shprehur këto burime.