Kryetari i SYRIZA-Aleancës Progresive, Stefanos Kasselakis, ka zhvilluar dje një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi. Mediat shkruajnë se Stefanos Kasselakis është shprehur se shqipja mund të ekzistojë si gjuhë e huaj e zgjedhur në shkollat greke krahas greqishtes si gjuhë e dytë në territorin e Shqipërisë.
Lidhur me këtë Etmond Guri, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Greqi u shpreh se janë në pritje për të arritur në finalizimin e propozimeve tona. Ai tha se kjo është një çështje jo vetëm politike por dhe diplomatike apo më tej dhe se si qytetarë të rregullt në Greqi është e drejta e tyre për të kërkuar barazi.
“Përtej statusit të gazetarit unë jam aktivist në komunitetin shqiptar një përfaqësi e diasporës shqiptare arritëm të bëjmë një takim historik me Kasselakis. Ishte një takim i cili përfshinte të gjitha format protokollare dhe jo politike. Zgjati 1 orë e 30 minuta, ku u bë një bisedë gjithëpërfshirëse ku paraqitëm disa nga problemet dhe bëmë disa propozime për të arritur në finalizimin e tyre me këtë forcë politike.
Çështja e njohjes së gjuhës shqipe nga Greqia ka qenë një kërkesë e kahershme ku çdo organ e ka kërkuar, por ajo që nuk është bërë e mundur për momentin është mënyra më e mirë e kësaj kërkesë për të arritur në nivelin e duhur ku ne këtë kërkesë ja paraqitëm me shkrim dhe ja paraqitëm zotit Kasselakis. Për befasinë tonë ai doli në media dhe u prononcua dhe për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në Greqi.
Është një çështje shumë delikate që nuk është vetëm politike por dhe diplomatike. Detyra jonë si qytetarë shqiptarë në Greqi është detyrë të ruajmë gjuhën tonë siç ndodh në vendet perëndimore ku gjuha e nënës ruhet me fanatizëm në këtë drejtim dhe ne insistojmë që në një moment politika dhe diplomacia greke të gjejë kohën, dëshirën dhe vullnetin të gjejë një zgjidhje.”
I pyetur se si është pritur nga politika dhe opinioni publik, Guri tha se ajo që kërkojnë është vetëm barazia në shtetin grek si një e drejtë e tyre në përputhshmëri me ligjin.
“Ne si diasporë me origjinë shqiptare që respektojmë ligjin në Greqi duke qenë qytetarë me plot kuptimin e fjalës kërkojmë dhe barazi me kuptimin e plotë të fjalës në bazë të ligjit. Kemi plotësisht të drejtë si qytetar të këtij vendi ta kërkime. Nga ana tjetër këto dy vende shpesh herë lidhin tema të ndryshme për inate të tyre, por gjithsesi ne kemi ruajtur kornizën tonë, duke bashkëpunuar me çdo formë dhe instancë në Greqi që zëri ynë të dëgjohet në çdo moment dhe kërkesat tona të pranohen.”