Pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, UNMIK duhet të largohet përfundimisht nga Kosova. Kështu ka deklaruar për Deutsche Welle, shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj. Ministri Hoxhaj ka folur edhe për rolin e misionit të OSBE në zgjedhjet e tre nëntorit dhe për skandalet e fundit të punonjësve të shërbimit diplomatik të Kosovës.
“UNMIK e ka përmbushur mandatin të cilin e ka pasur deri në dhjetor të vitit 2007’, tani prania e tij paraqet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, prandaj ftesa ime është që UNMIK të shndërrohet në partner se si Kosova të anëtarësohet në OKB dhe KS dhe institucionet e tjera relevante të mendojnë se si atë buxhet që UNMIK e përdor në Kosovë ta përdori për vendet e tjera në botë, qoftë në Afrikë apo Azi ku ka domosdoshmëri për ndonjë prani të ndonjë misioni të OKB. Më së paku UNMIK ka një mandat, një mision dhe një rol në shtetin e pavarur të Kosovës në vitin 2013”, u shpreh Hoxhaj.
Ministri ka folur edhe për zgjedhjet e 3 nëntorit duke u shprehur se: “Mund të them që dialogu me Serbinë, marrëveshja ka qenë një ngritje e shtetit të Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Nuk ka pasur asnjë zhvillim në këto pesë vite të pavarësisë sikurse dialogu, kur ne kemi dëshmuar pjekuri politike dhe ku kemi ushtruar fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa në marrëveshjen që kemi arritur me Serbinë me 19 prill, parashihet që OSBE të ketë një rol lehtësues të organizimit të zgjedhjeve vetëm në komunat në veri të Kosovës.
Mendojë se kjo është në interes të shtetit të Kosovës, ndërsa mandati i OSBE do të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës. Ne do të jemi dëshmitarë që nëntori i vitit 2013, do të mbetet si ndër pikat me kthesë me të rëndësishme e më vendimtare sa i takon shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri”, përfundoi fjalën e tij Hoxhaj.