Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff. Gjatë këtij takimi Hoxhaj ka informuar ambasadorin britanik për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe për përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Ai theksoi se këto zgjedhje, që do të zhvillohen në të gjithë territorin e Kosovës, do të mbahen në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën.