Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, ka folur në një intervistë televizive për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Kosovë, ku Edmond Lajçi vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij Gjyljeta Ukella.
Nikqi tha se edhe më herët kishte pasur konflikte mes çiftit dhe sipas tij, Lajçi ishte dënuar me vendim gjykate në vitin 2021 me 400 euro gjobë.
Ai tha se Lajçi ishte denoncuar për dhunë psikologjike, por më pas çifti kishin pretenduar se i kishin zgjidhur keqkuptimet me njëri-tjetrin dhe kërkuan një dënim sa më të lehtë.
“Ngjarja ka ndodhur dje në qendër të qytetit, në banesën që dyshohet se çifti ka bashkëjetuar. Personi i dyshuar pasi ka kryer vrasjen është nisur në stacionin policor, ka treguar se ka kryer vrasjen, është sekuestruar arma me të cilën është kryer kjo vepër penale e rëndë.
Kanë qenë të martuar ligjërisht, por kanë pasur edhe më herët çështje penale, një aktakuzë të ngritur në vitin 2021 për dhunë në familje, për të cilën edhe është dënuar nga Gjykata. Nga ato që pashë dje në media, ka marrë një dënim me gjobë 400 euro.
Në vitin 2021 nuk ka pasur urdhër mbrojtje, pasi aktakuza është ngritur pasi nuk ka pasur dhunë fizike, por dhunë psiqike. Palët deklaruan se i kishin tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre dhe kërkuan një dënim sa më të lehtë”, tha Nikqi.