Vrasja e 30-vjeçares Liridona Murseli ka tronditur opinionin publik, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. Një ngjarje si nëpër filma aksion pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por me zbulimet e fundit situata mori kthesën e madhe. Ngjarja e rëndë u shënua më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës. Atë natë Murseli, bashkëshorti i saj kishte rrëfyer në polici se kishin rënë pre e një grabitjeje teksa kishte qenë në makinë me Liridonën dhe fëmijët, por hetimet dhe provat çuan në një pistë tjetër. Dhe më 1 dhjetor, pak orë pas ceremonisë mortore të Liridona Murselit, u njoftua arrestimi i Naim Musrelit. Ky i fundit dyshohet se i ka dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës. Një nga pistat e para që po qarkullon për vrasjen e Liridona Murseli Ademajt, të porositur nga bashkëshorti Naim Murseli është një sigurim që i kishte paguar viktimës në Suedi. Mediat kosovare raportojnë se sigurimi jetësor që Naim Murseli i kishte paguar Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove. Naim Murseli dyshohet se ka qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese nga sigurimi dhe kjo dyshohet se është një nga motivet që mund ta ketë çuar atë në gjithë organizimin e vrasjes makabër të gruas së tij Liridonës.
Detajet
Disa orë para se të vritej Liridona Murseli, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin, Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e së ndjerës. Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para ditë së ndodhur ngjarja, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”. “Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar së bashku, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.” Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin. Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava. Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër. Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiçi”. Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli. Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi. Gjykata e Prishtinës ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Murseli. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen po vijojnë. Bashkëshorti i të ndjerës sipas mediave në Kosovë, më seancë nuk ka pranuar se ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprimeve penale, me qëllim vrasjen e gruas së tij. Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.