Vendosja gabim e kodeve identifikuese si dhe mungesa e regjistrit të saktë të adresave të votuesve sipas KQZ edhe këtë vit do të sfidoj votimin e rregullt që nënkupton humbje mundësie për të votuar. Organi i zgjedhjeve ka njoftuar gjithashtu se edhe periudha e shërbimit të votuesve nuk ka sjell interesim të qytetarëve për verifikim të emrave të tyre në qendrat përkatëse të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron sërish telashe me emrat e votuesve në qendrat e votimit. Gabimet në vendosjen e të ashtuquajtura p-code për zonat rurale dhe ud-code për ato urbane si dhe mungesa e regjistrit të adresave të vendbanimeve sipas KQZ do të shtojnë sërish numrin e votave me kusht,por edhe humbjen e tyre.
Florian Dushi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se periudha e shërbimit të votuesve për t’u verifikuar emrat e tyre në qendrat e votimit nuk po shfrytëzohet aspak. Këtë sipas tij e tregon numri prej vetëm 40 personave në nivel të Kosovës që kanë verifikuar të dhënat e tyre.