Marsela Shytia
Ballkani Perëndimor prej kohësh jeton me frikën e një rreziku në rritje të dhunës etnike të lokalizuar gjatë vitit 2024, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, ku lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Srpska. Dodik, presidenti i Republika Srpska, është përpjekur për dy vitet e fundit të luftojë pushtetin shtetëror nga Bosnja dhe Hercegovina dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Srpska do të shkëputet përgjithmonë nga Bosnja dhe Hercegovina. Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dodik ka deklaruar më parë se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do të kthejë kufirin e subjektit në një kufi shtetëror. Në këtë kontekst shpjegohen edhe sulmet e tij ndaj Përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare për BiH, Christian Schmidt, të cilin e ka ofenduar jo pak herë edhe në mënyrë direkte. Megjithatë, as përgjigjet e këtij të fundit, nuk kursehen asnjëherë.
Paralajmërimi i Schmidt
Së fundmi, Schmidt, paralajmëroi autoritetet në Republikën Srpska se nuk do të lejojnë asnjë shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe do të përdorin kompetencat e tyre dhe do të reagojnë ndaj miratimit të çdo vendimi që kërcënon sovranitetin e BiH. Schmidt e ka shprehur këtë paralajmërim në një letër drejtuar kryetarit të Asamblesë Kombëtare të RS, Nenad Stevandiç, në lidhje me vendimin që ai organ të shqyrtojë dhe miratojë deklaratën e të ashtuquajturit Kuvend Gjithëserb, në të cilin zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të RS, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe (KPS), njoftuan për një lidhje edhe më të ngushtë ndërmjet atij shteti dhe këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës. Parlamenti i RS-së e miratoi atë deklaratë dhe Schmidt paralajmëroi në një letër drejtuar Stevandiçit, përmbajtja e së cilës u publikua nga “Oslobođenje” e Sarajevës dje, se ky është një akt që vë në pikëpyetje detyrimet dhe përgjegjësitë e RS-së sipas Marrëveshjes së Dejtonit. Ai ka shkruar se entiteti i RS-së nuk i përket vetëm serbëve, por të gjitha kombeve përbërëse, si dhe se entiteti, për shembull, nuk mund ta shpallë si “ditën e shtetësisë” atë që feston Serbia.
Deklarata e Kuvendit Serb
Ai theksoi se entitetet brenda Bosnjë-Hercegovinës nuk janë shtete dhe ekzistojnë vetëm në bazë të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës dhe nuk kanë ndonjë sovranitet të veçantë. Prandaj, Komiteti Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) i bëri thirrje më parë koalicionit qeverisës në RS të kontrolluar nga Milorad Dodik që të ndalojë çdo veprim që minon shtetin, autoritetet e tij dhe karakterin e tij multietnik. “Doja të jem i qartë se një pjesë integrale e mandatit tim është të kundërshtoj çdo kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, si dhe çdo përpjekje për të minuar rendin e BiH dhe kuadrin e saj institucional, stabilitetin dhe funksionalitetin. Prandaj, në rastin e akteve legjislative që dalin nga kjo deklaratë, unë nuk do të hezitoj t’ia raportoj këtë Komitetit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) dhe të ndërmarr veprimet e duhura dhe vendimtare në përputhje me mandatin tim.
Kritikat e SHBA
Miratimi i kësaj Deklarate është dënuar nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviç dhe Zheljko Komshiç, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë. Në atë kohë, Ambasada amerikane tha se pikat e dokumentit të Deklaratës së miratuar në “Kuvendin gjithëserb” në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnje e Hercegovinës “nuk përfaqësojnë mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, siç autorët pretendojnë, por janë një sulm i planifikuar ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës”. Më 10 qershor, Ambasada amerikane në Sarajevë e cilësoi Deklaratën si të rrezikshme, dhe me plot gabime. Megjithatë, mesa duket kambanat e Amerikës bien vazhdimisht në vesh të shurdhët.