Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim Radovan Miljaniç, i cili ka dorëzuar letrat e emërimit në pozitën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Kosovës për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve me Malin e Zi, në shumë fusha të ndryshme.
Gjatë këtij takimi, Hoxhaj bëri të ditur se së shpejti edhe Republika e Kosovës do të caktojë përfaqësuesin e saj diplomatik në Mal të Zi, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve fqinje, funksionalizimin e misioneve diplomatike në dy kryeqytetet.