Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti ditën e djeshme anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg, duke shënuar një moment në historik në rrugën europiane të këtij shteti. Për Kosovën shkuan 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenim, ndërsa Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Dora Bakoyannis, e cila ka përpiluar raportin për Kosovën, i bëri thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Konkluzioni i Këshillit të Ministrave megjithatë pritet të jepet në mesin e muajit maj. Pati edhe surpriza në votimin e ditës së djeshme, por nuk pati asnjë surprizë në reagimin e ashpër të Serbisë, e cila pësoi disfatën e radhës.
Raporti i Dora Bakoyannis
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale. Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve. Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
“Surprizat” e votimit
Propozimi i Dora Bakoyanit u mbështet nga grupet politike të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP/CD) dhe grupit të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve (SOC). Përfaqësuesi i grupit të liberalëve dhe demokratëve (ALDE), ish-kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, gjatë debatit tha se Prishtina “më në fund” vendosi të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit, por shtoi se kjo nuk mund të mjaftojë për të mbështetur anëtarësimin. Përfaqësuesi i delegacionit hungarez Zolt Nemet ka thënë se Partia Konservatore Evropiane edhe pse në parim mbështet anëtarësimin e Kosovës në PS SE, nuk mund ta pranojë raportin e Bakoyanit. Edhe Zsolt Nemeth nga Hungaria, si përfaqësues i Partisë Konservatore Evropiane, tha se ishte kundër raportit të paraqitur. Sakaq, Julian Bulaj, përfaqësues nga Rumania, vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se Kosova është e gatshme dhe e meriton të hyjë në KiE.
Reagimi i Serbisë
Në kuvendin parlamentar ka folur edhe kryetarja e delegacionit serb, Biljana Pantiq Pilja, e cila me atë rast ka vlerësuar se hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapë kutinë e Pandorës. Ajo vlerësoi se “pranimi i diçkaje që nuk është shtet i anashkalon rregullat e Këshillit të Evropës”. Pilja tha se Serbia do të shqyrtojë nëse do të mbetet anëtare e një organizate që shkel ligjin ndërkombëtar. Madje, nuk kanë munguar as kërcënimet. “Bëhuni gati për ditët në vijim”, tha deputetja serbe Simonoviç Bratiç. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç tha se e djeshmja ishte një ditë turpi, pasi për herë të parë në histori ndodhi anëtarësimi i diçkaje që nuk është shtet dhe që nuk plotëson kërkesat themelore në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut. “Me këtë vendim të imponuar nga forca e fuqive ndërkombëtare, ato cenuan vetë themelet e Këshillit të Evropës dhe rendin juridik ndërkombëtar”, tha Daçiç. Siç tha ai, Serbia do të vazhdojë luftën e saj me të gjitha forcat. “Ne do të luftojmë që ky vendim të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj. Dhe do ta shohim vlerën e fjalës së bashkësisë ndërkombëtare që i dhanë presidentit Aleksandar Vuçiç se Kosova nuk do të pranohet në Këshillin e Evropës derisa të formohet Asociacioni. Ose do të jetë përsëri një gënjeshtër”, paralajmëroi kryeministri serb në detyrë.