Kryetari i LDK, Isa Mustafa, është shprehur gjatë një deklarate për mediat se do ta mund kryetarin e PDK, Hashim Thaçin në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.
“LDK i ka të qarta orientimet. Orientimet tona janë që të mundim Thaçin në zgjedhjet lokale dhe nacionale. Tani Thaçit i mbetet vetëm të flas dhe nesër të pranojë pasojat e humbjes”, u shpreh Mustafa.
Ai ka paralajmëruar se kandidati për kryetar i Komunës së Prishtinës, do të përcaktohet me kohë. Isa Mustafa, ka thënë më tej se qeveria e Kosovës është përgjegjëse për emigrimin e qytetarëve të Kosovës, duke u shprehur se qeveria nuk i ka përmbushur obligimet e saj, sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të perspektivës për qytetarët e vendit.
“Shteti i pavarur i Kosovës nuk i ka përmbushur shpresat e mijëra të rinjve për arsim më të mirë, për vende pune dhe për të ardhura dinjitoze. Si rezultat i kësaj, të rinjtë kosovarë po emigrojnë duke qëndruar nëpër kampe përqendrimi e në kushte jonjerëzore. Lidhja Demokratike e Kosovës për këtë gjendje e mban përgjegjëse të drejtpërdrejtë qeverinë e zotit Thaçi”, përfundon fjalën e tij Mustafa.