Zëdhënësi i misionit të OSBE në Kosovë, Nikola Gaon, është shprehur se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat janë paraparë për datën 3 nëntor. Gaon ka thënë se palët e interesuara do të merren vesh për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe dukjen e fletëvotimeve. “Nuk kemi informacione apo paralajmërime për shtyrje dhe nuk llogarisim në të. Ne po përgatitemi për zgjedhje”, ka thënë Gaon.
Ai ka kujtuar se OSBE është ftuar të ofrojë ndihmë në organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komuna të veriut të Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e 19 prillit midis Prishtinës dhe Beogradit. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se fletëvotimet do të jenë konform ligjeve në fuqi të Republikës, por homologë të tyre në Serbi kanë thënë se është e papranueshme që ato të kenë simbolet shtetërore të Kosovës.