Për çudinë e askujt, mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB, ku u përballën presidentja e Kosovës Vjosa dhe Osmani dhe presidenti i Kosovës, Aleksandër Vuçiç, u shoqërua me tensione, akuza të ashpra e tone të larta. Bashkë me shefen e shtetit të Kosovës, në delegacion ishin edhe katër gra heroina të mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë. Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri – Sulimani, Fahrije Hoti dhe Elhame Muçolli, u lejuan të marrin pjesë në seancën e KS të OKB-së, pasi presidentja refuzoi të futej pa to, fakt që mesa duket nuk është pritur aspak mirë nga pala e Boegradit. Mimika dhe gjuha e trupit, të kapura edhe në video, e “tradhtuan” presidentin serb, i cili ishte dukshëm në siklet, madje i nervozuar. Thuajse të gjitha vendet perëndimore, duke nisur që nga SHBA e deri tek Franca nuk u kursyen aspak me fjalët drejtuar Serbisë, që sidoqoftë, pati edhe këtë herë “mbrojtjen” e Rusisë dhe Kinës.
Raporti i UNMIK
Fillimisht, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në raportimin e saj gjashtë mujor për Kosovën në OKB, ka folur për agresionin në Banjskë duke kërkuar drejtësi. “Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë që është një incident shumë serioz i sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike, në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla që më të mos përsëriten”, ka thënë Ziadeh. Ziadeh ka thënë se zgjidhja e probleme që po ndodhin në Kosovë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Implementimi i plotë i marrëveshjeve të dala nga dialogu është një prioritet i madh për t’iu ikur krizave që na kanë dalë, me rëndësi është që të dyja plaët të jenë të angazhuara”, ka thënë Ziadeh.
“Ankesat” e Vuçiçit
I pari që mori fjalën në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ishte, Vuçiç i cili e nisi me Asocacionin. Ai deklaroi se kanë kaluar 11 vite që nga arritje e kësaj marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe Kosova ende nuk e ka krijuar Asociacionin në Komunat me shumicë serbe në veri. Vuçiç ngriti pretendimet se Serbia i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE. Më tej Vuçiç, është ankuar në Këshillin e Sigurimit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po terrorizon komunitetit serb në Kosovë, dhe se këto veprime të Kurtit po shpërblehen nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas tij, heqja e dinarit serb ishte kulmi i një fushate të zgjatur të motivuar etnikisht kundër serbëve, Vuçiç foli edhe për Banjskën, e cila sipas tij ndodhi si pasojë e persekutimit të përditshëm të serbëve në Kosovë. Nga ana tjetër, ai akuzon qeverinë e Kurtit se po tentojnë të krijojnë “Shqipërinë e Madhe”.
Përplasjet me Osmanin
Nga ana tjetër, Osmani e ka bërë Vuçiçit për “ujë të ftohtë”. Në përgjigje të pretendimeve të tij për keqtrajtimin e serbëve në veri, Osmani tha se pretendimet e Serbisë janë të pabaza dhe gënjeshtra të sajuara. Sipas saj, Kjo narrativë është shpërberë nga Komiteti i Helsinkit e deri te Parlamenti i Europës. Më tej Osmani i ka kujtuar Vuçiçit se serbët në veri po torturohen nga vetë Beogradi, teksa solli në vëmendje rastin e opozitarit Sanduloviç, që u rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi vendosi lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga shteti serb. Osmani, ka akuzuar Serbinë se ajo ka qenë ndezësja e agresionit ndaj Kosovës, duke përmendur këtu rastin e rrëmbimit të policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve kosovarë dhe sulmin në Banjskë. Po ashtu kryetarja e shtetit të Kosovës, tha Vuçiç asnjëherë nuk ka kërkuar falje për masakrat që janë bërë nga Serbia në Kosovë.
Kina dhe Rusia krah Serbisë
Zvicra, SHBA, Franca dhe vende të tjera ishin në një linjë, sa i përket Serbisë, duke kërkuar bashkëpunim me drejtësinë për sulmin në Banjskë, parandalimin e përsëritjes së një rasti të tillë si dhe normalizimin e raporteve me Kosovën, duke çuar përpara dialogun. Por qëndrim ndryshe kishin Kina dhe Rusia. Prania e 4 grave të mbijetuara të luftës në Kosovë, nervozoi përfaqësuesin e Përhershëm rus. Vasily Nebenzya i cili tha se lejimi i grave nga Kosova ishte një shkelje procedure.Ndërsa Kina i bëri thirrje Prishtinës që të revokojë vendimet e paarsyeshme dhe të ndalojë veprimet e njëanshme që përkeqësojnë tensionet dhe shkaktojnë konfrontim.