Atë që presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quan inkurajim të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të vazhduar përmbushjen e obligimeve të tij, qytetarët e Kosovës e kanë pritur me vite. Media serbe “Danas” shprehet se konkretisht, Këshilli i BE-së njoftoi të enjten se miratoi qëndrimin në lexim të parë për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova, i cili do t’u mundësojë mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë nga 1 janari 2024. Nga ana tjetër, Vuçiç deklaroi në një studio televizive se “Kurti është i vendosur të mos e formojë ZSO-në dhe se e ka të lehtë ta bëjë këtë, e tregon vendimi për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e këtij vendi. Ndaj nuk kam asgjë kundër për shumë arsye dhe duhet të presim me padurim atë vendim. Por momenti nuk tregon se nuk janë gati të bëjnë presion ndaj Kurtit, por se po e inkurajon atë të vazhdojë me politikën e mospërmbushjes së obligimeve të veta. Dhe ky është problem”, tha Vuçiç. Ai shtoi se Kosova do të hyjë në Këshillin e Evropës dhe se kjo do të konsiderohet normale dhe se Serbisë do t’i thuhet ta votojë.
Çfarë do të thotë ky vendim?
A është ky vendim i Këshillit të BE-së një shpërblim për Kosovën për progresin e arritur deri më tani në dialog apo është një nxitje, d.m.th., një karotë, për të ardhmen, me anëtarësimin në Këshillin e Evropës? Danas pyeti Natan Albahari, deputetn e PSG-së dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian dhe Sofija Popoviç, gazetare e EWB. Albahari thotë se është mirë që qytetarët e Kosovës, por edhe pjesëtarët e komunitetit serb, më në fund do të kenë mundësinë të udhëtojnë në BE pa viza. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kur plotësohen disa kushte në kuadër të integrimit evropian, kjo të konfirmohet edhe në nivel të Bashkimit Evropian, sepse vetëm kështu i gjithë rajoni mund të rifitojë besimin në vetë procesin. Do t’ju kujtoj se shtyrja e vazhdueshme e dhënies së statusit kandidat Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe shtyrja e mëvonshme e hapjes së negociatave të anëtarësimit, lë një shije të hidhur në të gjithë rajonin dhe vë në pikëpyetje angazhimin e BE-së për politikën e zgjerimit. Çdo hap drejt afrimit të gjithë rajonit me Bashkimin Evropian duhet përshëndetur”, thotë Albahari. Sipas fjalëve të tij, presidenti Vuçiç e di shumë mirë se ky proces i liberalizimit të vizave ka filluar shumë vite më parë dhe ai vetë duhet të qëndrojë pas tij sepse është i një rëndësie të madhe për komunitetin serb në Kosovë. “A është shpërblim për Kosovën është e njëjta pyetje e vlefshme sikur shpërblimi për Serbinë javën e kaluar ishte gati një miliard euro për remontin e hekurudhës Beograd-Nish? Nëse e shikojmë nga ai kënd, atëherë mund të konkludojmë se Brukseli është i kënaqur me mënyrën se si e kanë pranuar të dyja palët këtë marrëveshje, të paktën në fazën e parë, dhe se “karotat” do të ndahen më tej nëse arrihet një marrëveshje pozitive në lidhje me zbatimin”, thotë Albahari.
Lajmi i keq për Serbinë
Siç shton ai, në atë kontekst, atëherë duhet pyetur pse qeveria, e cila çdo ditë thotë se si punon për të mbrojtur serbët në Kosovë, shpesh punon kundër interesave të tyre? Albahari thotë se do të ishte katastrofike për Serbinë nëse krijohet përshtypja se papritur Prishtina është më e gatshme të angazhohet për një marrëveshje dhe Serbia del të jetë pala që po e bllokon atë marrëveshje. “Si pasojë, ne mund të mbetemi pa mbështetje për ZSO-në dhe rruga drejt integrimeve euroatlantike do të jetë e hapur për Kosovën. Kjo është arsyeja pse kjo është një mundësi unike dhe ndoshta e fundit për Serbinë për të siguruar të ardhmen e saj evropiane. Kërkoj që në raundin e radhës të hyhet më seriozisht, me guxim dhe pjekuri, pa rënkime, konferenca dramatike për shtyp dhe lajthitje të opinionit”, thekson ai. Ndërsa Sofija Popoviç kujton se në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pas arritjes së marrëveshjes brenda BE-së për këtë çështje, ishte e qartë se Kosova do të merrte patjetër liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024.