Serbia nuk humbet asnjë rast për të treguar “muskujt”, sidomos në një kohë kur duket se në skenën ndërkombëtare “ia bëjnë me gisht”, për shkak të disfatave të njëpasnjëshme të saj dhe mënyrën e reagimit, që nuk i përket aspak një shteti që aspiron të ecë në rrugën europiane. Këtij qëllimi, duket se i kanë shërbyer edhe disa stërvitje, vetëm disa kilometra larg kufirit me Kosovën. Stërvitja “Whirlwind 2024” në fakt ka bërë bashkë zyrtarët serbë që kanë ngritur idenë e një formimi të “Botës Serbe”. Në Rrafshnaltën e Peshtërit të Serbisë, u mbajtën ushtrimet që u ndoqën nga afër nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministri në detyrë Ivica Daçiç, disa ministra, presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik, kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç. Megjithatë, stërvitjet ushtarake të Serbisë, nuk janë pritur fare mirë në Kosovë, e cila e ka konsideruar kërcënim për sigurinë e vendit dhe të rajonit.
Stërvitjet ushtarake
Në poligonin “Peshtër” morën pjesë mbi 2000 pjesëtarë të Ushtrisë Serbe, rreth 350 pajisje ushtarake, pjesë pjesë përbërëse tokësore dhe ajrore të ushtrisë dhe forcave speciale. Sipas numrit dhe diversitetit të forcave luftarake të angazhuara, është një nga më të mëdhatë dhe më të gjithanshmet që ka kryer Ushtria Serbe. “Dua të përgëzoj të gjithë pjesëtarët e ushtrisë sonë. Kështu duhet të duket në të ardhmen, kështu do ta riorganizojmë ushtrinë tonë. Kështu duhet të duken tanket tona, deri në atë pikë ku mund të shihni shumë lloje të dronëve, 12-13 nga 15 dronë kamikaze godasin objektivin. Ne jemi në rrugën tonë të mirë për të krijuar një industri dronësh”, tha dje presidenti serb Aleksandër Vuçiç. “Jam i kënaqur me gatishmërinë e përgjithshme të ushtrisë sonë, por kemi ende shumë për të bërë”, tha Vuçiç. Kujtojmë se shumë ekspertë kanë paralajmëruar se Serbia ka rreth 1500 dronë kamikazë, të njëjtë me ata që u përdorën nga Irani në sulmin e fundit ndaj Izraelit. Eksperti Driza Shala, madje nuk e përjashtoi mundësinë që këta dronë të përdoren edhe kundër Kosovës.
“Mbështetja” e KFOR
Në stërvitjen përfundimtare mori pjesë edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaš, i cili shkoi me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsiloviç. Kjo është hera e parë që një komandant i KFOR-it, forcës paqeruajtëse ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, merr pjesë në demonstrimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Serbisë. Por, sa i përket pjesëmarrjes të shefit të KFOR-it në këto stërvitjeve në Serbi, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli tha pjesëmarrja e Ulutas “reflekton raportin efektiv që KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe kanë zhvilluar përgjatë viteve”, përfshirë edhe përmes kontakteve të rregullta që kanë me shefin e ushtrisë serbe, “por edhe përmes vëzhgimeve në të kaluarën që KFOR-i u ka bërë stërvitjeve të Forcave të Armatosura Serbe”.
Reagimet në Kosovë
Për këto ushtrime kanë ngritur shqetësime tek udhëheqësit institucionalë kosovarë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke komentuar ushtrimet e ushtrisë serbe, tha se vendi ku do të behën këto ushtrime me dron luftarak kamikaz është vetëm 30 kilometra larg Kosovës dhe vetën 3 kilometra larg kufirit më Malin e Zi. “Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e bëhet në Pashter të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, ka thënë ai. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ushtrimet e ushtrisë serbe i quajti alarmuese për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. “Edhe pse ka vendosur 48 baza në kufi me Kosovën në jug të territorit të saj, Serbia ka vazhduar të proklamojë se gjithë ky mobilizim ka qenë për të përgatitur mbrojtjen e territorit”, tha ministri,